Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të shtunë një mesazh të veçantë në rrjetet sociale, duke vlerësuar interpretimin emocionues të muzikës shqiptare nga artistja britanike Sara Payman.
Në videon e publikuar, Payman shihet duke kënduar këngën ikonike të Vaçe Zelës, “Në këngë dhe ligjërime”, ndërsa shfaqet e veshur me kostum tradicional shqiptar. Krahas videos, Rama thekson përkushtimin dhe dashurinë e artistes për kulturën shqiptare, duke shkruar se ajo është një shembull se “shqiptar bëhesh edhe me zemër”.
“Me emocionet e muzikës shqipe që buron nga britanikja Sara Payman, e cila i këndon këngët si të ishin të gjakut të saj, duke na kujtuar se shqiptar bëhesh edhe me zemër përmes dashurisë për këtë vend siç Sara ka zgjedhur Shqipërinë, ju uroj një të shtunë të bukur ”, shkruan kreu i qeverisë.
Sara Payman është bërë e njohur për publikun shqiptar për interpretimet e saj të ndjera të këngëve tradicionale, të cilat i sjell me pasion dhe respekt të veçantë për trashëgiminë kulturore shqiptare.
/vizionplus.tv





