Pandemia e koronavirusit nuk i ka ndalur malazezët të protestojnë në rrugë kundër arrestimit të 8 priftërinjve ortodoks një ditë më parë. Tubimet në qytetet Nikshiç dhe Plevle u përshkallëzuan deri në përleshje fizike me forcat e policisë.

Uniformat blu në vendin fqinj përdorën gaz lotsjellës ndaj qytetarëve dhe sipas autoriteteve vendase 22 policë mbetën të plagosur.

Shkak për protestën e dhunshme në kohën e pandemisë kur qeveria ka vendosur masa shtrënguese ishte pikërisht injorimi nga mijëra besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe  një ditë më parë i këtyre masave, duke marrë pjesë në një meshë fetare për të kremtuar Ditën e Shën Bazilit të Ostrogut. 

Për organizimin e meshës, priftërinjtë mund të përballen me 12 vjet burg nën akuzën e shkeljes së rregullave në parandalimin e një sëmundjeje ngjitëse të rrezikshme. 

Në ceremoninë fetare pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve nuk mbanin maska dhe as distancën e duhur fizike nga njëri-tjetri.

Presidenti serb Aleksandar Vuçic bëri thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës dhe një lirim të shpejtë të priftërinjve. Ndërsa kryepeshkopi serb Irinej tha se arrestimet tregojnë se shteti malazez po kryen një spastrim të Kishës Ortodokse Serbe.

Prej kohesh në vendin fqinj ekziston një konflikt i vazhdueshëm mes autoriteteve malazeze dhe kishës ortodokse serbe. Kjo e fundit dominon prej kohesh jetën fetare në vend dhe shihet si një mjet për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit nga ana e Serbisë, e cila ka mbështetjen e Moskës.

Në fillim të këtij viti, Kisha Ortodokse Serbe zhvilloi për disa javë protesta në Mal të Zi kundër një ligji për Liritë Fetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *