Antonio Costa njofton hapa të rinj në negociatat me Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë: E ardhmja juaj është në BE

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka përshëndetur vendimin për mbylljen e një kapitulli me Shqipërinë në rrugën drejt BE-së dhe të tre kapitujve me Malin e Zi, të cilët pritet të formalizohen ditën e martë.
Gjithashtu, presidenti i Këshillit Evropian deklaroi se ditën e martë BE-ja do të hapë grupe të reja negociatash me Ukrainën dhe Moldavinë.
“Përshëndes vendimin e sotëm të Shteteve Anëtare të BE-së për të hapur dy grupe të tjera negociatash me Ukrainën dhe Moldavinë. Ne mezi presim të hapim të gjitha grupet e mbetura sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithashtu, përshëndes vendimin për të mbyllur tre kapituj shtesë negociatash me Malin e Zi dhe një me Shqipërinë.
Zgjerimi i BE-së vazhdon të përparojë, i nxitur nga reformat në vendet kandidate dhe angazhimi i fortë i BE-së. E ardhmja juaj është në BE. Le ta ruajmë këtë moment!”, shkroi Costa në një postim në rrjetin social X.

Vendet kandidate për anëtarësim, përfshirë Ukrainën, kanë ende shumë punë për të bërë përpara se të përmbushin acquis communautaire, tërësinë e rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Këto përfshijnë fusha të ndryshme, nga mjedisi dhe bujqësia deri te tregu i brendshëm.




