Nga Esido Barkaj
Rinasi për vitin 2025 është përballur me një fluks në rritje nga janari deri në korrik për shkak të numrit të madh të turistëve që zgjedhin për të vizituar, apo për të pushuar në vendin tonë.
Krahasuar me vitin e kaluar, statistikat tregojnë se për 2025 ka një rritje prej 10%.
“Kemi një fluks goxha të madh, me një rritje prej 8 deri në 10% krahasuar me vitin e kaluar. Sivjet kemi patur 6.700.000 pasagjerë për 7-mujorin e parë të këtij viti, një vit më parë kemi patur 5.800.000”, tha Perparim Dema, Shef i Komisariatit Rinas.
Ndonëse vitet e kaluar kanë qenë shtetasit shqiptarë ata që dominonin në hyrje-daljet e Rinasit, kohët e fundit janë të huajt ata që regjistrohen në këtë pikë kufitare, duke mos munguar as nga vendet e largëta si Japonia, Australia etj.
“Ka një fluks në rritje të shtetasve të huaj. Më përpara kemi patur një fluks rreth 65% shtetas shqiptarë të regjistruar në hyrje dalje, aktualisht 70% janë shtetas të huaj”, shtoi Dema.
Krahas rritjes së numrit të pasagjerëve, edhe krimet e goditura në Rinas kanë pësuar një rritje ku dominojnë krimet doganore. Ndërkohë ajo që vihet re është se vitet e fundit Rinasi nuk po përdoret më për të dërguar drogë në vendet e tjera, por po përdoret për futjen e kanabisit nga vendet e largëta.
“Ne kemi me evidencë rreth 350 vepra penale. Ka një rritje rreth 10%, pasi në 7-mujron e vitit të kaluar kanë qënë rreth 310 raste. Ka një rritje të veprave penale në fushën e doganës siç janë kontrabanda me mallra, mosdeklarim i vlerave monetare. Ka një trend të ri kohët e fundit, trafikimi i lëndëve narkotike. Kemi rreth 40 ngjarje me lëndë narkotike, kryesisht është kanabis që vjen nga Tajlanda dhe SHBA-të”, deklaroi Shefi i Komisariatit Rinas.
Një risi që ka frenuar dhe fluksin e emigrantëve të jashtëligjshëm, është dhe bashkëpunim online me kompanitë e huaja për verifikimin e vizave shqiptare të falsifikuara.
“Nga ana jonë janë marrë masat që duke vendosur një numër në dispozicion të kompanive ajrore të vendeve të treta, të cilat në rastin e shtetasve në këto vende me një vizë shqiptare të marrin një konfirmim për vizën. Për këtë 7-mujor janë rreth 100 raste që janë ndaluar që në vendin e origjinës, pra nuk kanë arritur që të vijnë deri tek ne, sepse është verifikuar viza dhe ka rezultuar e falsifikuar dhe nuk janë imbarkuar pasagjerët”, u shpreh Perparim Dema.
Një tjetër problematikë sipas shefit të Komisariatit janë edhe emigrantët që zbarkojnë në vendin tonë nga vendet e treta.
“Kemi rrethe 300 raste në hyrje që është refuzuar hyrja e shtetasve të vendeve të treta që kanë patur mangësi në dokumentacion, ose nuk kanë patur një arsye bindëse për qëllimin e vizitës në Shqipëri, ose kanë patur dokumenta të falsifikuara. Në dalje është intesifikuar puna në lidhje me shtetasit të cilët tentojnë të përdorin vendin tonë për të kaluar në vendet e Europës me dokumenta të falsifikuara, por janë raste sporadike”, përfundoi ai.
Fluksi në pikën kufitare në Rinas është përballuar edhe në sajë të pajisjeve inteligjente si e-gate-t të cilat lehtësojnë punën e kontrollorëve policorë, por edhe sistemet e brendshme për përforcimin e sistemit TIMS duke mos patur raste të bllokimit të punës.
/vizionplus.tv





