Nga sheshi Skënderbej në Tiranë, 47 liderët e Evropës premtuan mbështetje për Ukrainën në përpjekje për të arritur një paqe të qëndrueshme.
Në seancën e parë plenare, diskutimet e udhëheqësve të Evropës u fokusuan te siguria, e parë në dy shtylla, përfundimi i luftës në Ukrainë dhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kolektive të Evropës. Seanca u drejtua nga kryeministri Edi Rama, i cili sapo fitoi mandatin e 4-të me premtimin për të anëtarësuar Shqipërinë në BE.
“Në fakt, mbërritja juaj vijon një fushatë zgjedhore ku Europa ka qenë më e pranishme se kurrë dhe jo si një çështje që krijon ndasi, por si një deklaratë e përbashkët; jo si një grumbull detyrash shtëpie, por si një fat i bashkëndarë. Ja pse është kaq kënaqësi që fushata u përqendrua te këto fjalë: Europë, identitet, përkatësi, e identiteti fitoi më shumë se 52% të votave”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në nisje të samitit theksoi se ky është momenti kur Europa duhet të ndryshojë.
“Kur Donald Trump tha se Zoti e shpëtoi nga plumbi, sepse i plotfuqishmi kishte një plan për Amerikën, tha vetëm gjysmën e së vërtetës, gjysma tjetër është se Zoti kishte një plan edhe për Europën, e nuk mund të ishte më e qartë se sakaq. Europa edhe njëherë ka një mundësi të dhuruar prej Zotit për të rishpikur veten. Le të sigurohemi që rrugëtimi i Europës, i yni në këtë rast, nuk është një rrugëtim rrëmbimi si në pikturën e Veroneses, por një udhëtim kthimi dhe rilindjeje”, shtoi kryeministri.
Liderët e Europës vlerësuan se paqja duhet të vendoset në Ukrainë, ashtu sikundër nga ana tjetër theksuan vullnetin për të rritur fuqinë.
“Orët e fundit treguan se Rusia nuk e do këtë armëpushim, por trysnia europiane dhe amerikane do ta bëjë këtë. Rusia duhet t’i kthehet diskutimeve që u mbajtën në 2022. Kjo do të thotë që duhet të këmbëngulim në mënyrë që të sigurojmë një paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, u shpreh Emmanuel Macron, President i Francës.
“Rusia po tërheq këmbët zvarrë dhe po luan lojëra, ndërkohë që Ukraina ka dëshmuar se është pala e paqes dhe udhëheqjes. Britania është gati të luajë rolin e vet, dhe kjo nënkupton rritjen e shpenzimeve ushtarake deri në 2.5% të PBB-së deri në vitin 2025”, deklaroi Keir Starmer.
“Pasojat që i ka shkaktuar rendit botëror, agresioni rus, vazhdojnë të sjellin efekte destabilizuese. Për këtë arsye, ne do të zgjedhim të qëndrojmë krah ukrainasve dhe do të vazhdojmë të bëjmë të pamundurën që kjo luftë të marrë fund menjëherë, sepse siguria jonë varet nga forca e ligjit dhe jo nga kush mendon se është më i fortë”, nënvizoi Giorgia Meloni.
“Pika e parë është që nuk duhet të ketë pikëdyshimi që ne jemi të angazhuar të japim mbështetje për Ukrainën. Pika e dytë, në lidhje me SHBA, vendi im i është mirënjohës Amerikës për atë që ata bënë për ne pas Luftës së Dytë Botërore. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që amerikanët të jenë në krahun tonë, ne nuk mund t’i zëvendësojmë amerikanët dhe atë që ata bëjnë për ne në Europë”, tha Friedrich Merz.
Edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri apel për paqe nga Tirana.
“Presioni duhet të vijojë dhe të rritet derisa të ketë ecuri. I bëj thirrje Putinit t’i japë delegacionit të vet autoritetin e plotë, pasi duhet t’i japim fund vrasjeve”, u shpreh Volodymyr Zelensky.
Ndërsa Presidenti i Turqisë, Erdogan, shpjegoi takimet që ka zhvilluar në kuadër të bisedimeve për paqen në Ukrainë, duke ngritur njëherësh edhe çështjen e situatës në Gaza.
/vizionplus.tv





