Rrjeti social TikTok do të mbyllet për një periudhë 12-mujore.
Ministrja Manastirliu bëri me dije se është ngritur grupi i punës dhe kanë nisur diskutimet me përfaqësuesit e platformës. Sipas saj, do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike ajo që do të mundësojë ndërprerjen e aksesit në TikTok brenda një periudhe njëjavore.
Nga ana tjetër, partitë kryesore janë në “luftë” me SPAK, ndërkohë që fushata zgjedhore ka nisur.
Analisti Ermal Hasimja, në një lidhje me Skype në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus, nën moderimin e Roland Zilit, tha se përdorimi i TikTok-ut nuk është problemi madhor në Shqipëri.
Analisti u shpreh se qeveria po përpiqet t’i vërë emrin fajtorit, duke shkarkuar nga vetja disa përgjegjësi që duhej të ishin marrë.
Sa i përket faktorit SPAK në zgjedhjet e 11 majit, Hasimja deklaroi se partitë e reja do të përfitojnë nga ky elektorat i lëkundur. Ai shtoi se 30-40% e mbështetësve të partive të mëdha kanë mendim pozitiv tek SPAK, edhe pse liderët e tyre e sulmojnë atë.
Intervista e plotë
Si e shikoni ju mbylljen e TikTok dhe a duhet të ketë filtra?
Hasimja: Përdorimi i rrjeteve sociale është problem shumë i madh, sepse është një hapësirë që as prindërit, as shkolla nuk kanë asnjë mundësi t’i kontrollojnë. Plot elemente problematike zhvillohen aty. Por, nga ana tjetër, nuk janë aty rrënjët e problemit. Problemi madhor që kemi është me modelet që u japim fëmijëve sot. Sot, mësuesi është i pambrojtur ndaj prindërve, nxënësve dhe ndaj presioneve politike. Çështja e TikTok-ut është një komponent shumë i vogël. Patjetër që duhet kufizuar, të ketë disa filtra, jo vetëm TikTok-u, por edhe rrjetet e tjera. Rrjeti më i përdorur sot është WhatsApp. Çfarë do bëjmë? Ta mbyllim edhe WhatsApp-in? Qeveria po përpiqet t’i vërë emrin fajtorit, duke shkarkuar nga vetja disa përgjegjësi që duhej të ishin marrë dhe mesa duket nuk do të merren.
Ka një tendencë për të marrë SPAK-un si faktor për të bërë politikë, sidomos nga PS. Ju si e shikoni? A do të ketë ndikim tek votuesit?
Hasimja: Do të ketë ndikim tek votuesi që është i pavendosur për t’u votuar ose i pavendosur tek partitë. Sot kemi një hendek shumë të madh mes 3 partive të mëdha. Të tre liderët janë në një sulm të hapur. Rama sulmon, tërhiqet, pastaj sulmon sërish. Edhe nëse nuk sulmon Rama, sulmon Veliaj nga Durrësi. Pastaj kemi edhe ato parti që synojnë votat e atyre që janë të pavendosur. Kur kishim një klimë të pandëshkueshmërisë, partitë kryesore ishin ato që kundërshtonin, pra ato që ndiheshin më në rrezik. Këto parti të reja do të përfitojnë nga ky elektorat i lëkundur. Po të shohësh sondazhet, 30-40% e mbështetësve të partive të mëdha kanë ndikim pozitiv tek SPAK, edhe pse liderët e tyre e sulmojnë SPAK-un.
/vizionplus.tv





