Gjykata e Lartë hapi sot garën për pasardhësin e Holta Zaçajt e cila aktualisht mban postin e kryetares se Gjykatës Kushtetuese.
Ne një njoftim publik, kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, shpjegon se është detyrimi i këtij institucioni të hapë procedurën për aplikimet për vendin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Lexo edhe :
Related Posts
Kryegjyqtari Sadushi thekson se nuk ka diskutime për datën kur përfundon mandati i Holta Zacajt, pasi që në momentin që gjyqtarja ka aplikuar ka qenë e qartë që do të ishte në detyrë deri në datën 10 mars të vitit 2025.
“Vetë Holta Zaçaj në dy kërkesat për shqyrtim aplikimi, që i ka drejtuar Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datat 25.02.2022 dhe 30.11.2022, ka shprehur vullnetin e saj për zgjedhjen në “mandatin e mbetur të mandatit 9 vjeçar, që përfundon në muajin mars të zonjës Vitore Tusha”, sqaroi Sadushi.
Kryetari i Gjykatës së Lartë vë në dukje se hapja e garës nuk mund të pengohet nga fakti që Gjykata Kushtetuese nuk ka shpallur mbarimin e mandatit, pasi Kushtetuta është e qartë.
“Mosvënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj për të shpallur, jo më vonë se data 10.12.2024, mbarimin e mandatit të zonjës Holta Zaçaj, nuk mund të pengojë dhe as të shmangë ushtrimin nga Gjykata e Lartë të kompetencës kushtetuese për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese”, tha Sadushi.
Por nga ana e saj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, i është drejtuar Komisionit të Venecias për t’i kërkuar një opinion në lidhje me momentin kur përfundon mandati i saj. Sipas gjyqtares Zaçaj, Kushtetuta përcakton vetëm vitin kur përfundon mandati i saj, jo datën, dhe në parim ajo largohet nga detyra në fund të vitit 2025.
Një ditë më parë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, paralajmëroi edhe institucionet e tjera, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që deklaron mbarimin e mandatit të një anëtari të Kushtetueses./vizionplus.tv






