Ish-drejtori i ISHP, Besnik Jakaj është kritik me menaxhimin e pandemisë nga ana e qeverisë.
Ai tha për emisionin “Quo Vadis” se autoritetet në Shqipëri duhet të krijonin një plan strategjie për bllokimin e koronavirusit që në momentin kur OBSH e shpalli pandemi.
Teksa analizon shifrat, Jakaj thotë se COvid-19 nuk është aq vrastar sa u trumbetua në fillim. Sipas tij, ështe jetike të bëhen autopsite e personave që deklarohen të vdekur nga Covid-19, jo vetëm për element statistikor por edhe për të kuptuar vdekshmërinë reale në vendin tonë nga ky virus.
“Kishte një mungesë organizimi në menaxhim dhe një mungesë plani strategjik për të ndjekur të gjithë etapat e menaxhimit të një pandemie, të një virusi. Në momentin që shpallet situata pandemike botërore është e qartë që virusi do të bashkëjetojë gjatë me njerëzimin. Mjeku i familjes u evolvua me shumë vonesë në menaxhimin e pandemisë, që është hallka e parë e përballjes me COVID-19. Është një keqmenaxhim i plotë i situatës pandemike.”
Jakaj shtoi se fondet për pandeminë kanë qenë të pakta dhe se kurimi i koronavirusit në kushte shtëpie është i papërballueshëm për qytetarët. Për ish-kreun e ISHP, një vaksinë mund të prodhohet prej 18 muajsh dhe se përdoret për imunizimin e shoqërisë, pasi “virusi vjen duke u dobësuar natyrshëm”.





