Dy persona janë mbytur në ujërat e lumit Buna një ditë më parë në Shkodër.Burimet bëjnë me dije se ngjarja është regjistruar ditën e djeshme rreth orës 15:00 kur dy persona duke u larë janë mbytur në fshatin Darragjat të Njesisë së Dajcit në Bashkinë Shkodër.
Sipas burimeve për Report Tv, dy të mbyturit janë Dhurim Arra nga fshati Darragjat, 39 vjeç, dhe Frenki Pëllumbaj 14 vjeç. Trupat e dy personave janë gjetur mëngjesin e sotëm nga polumbarët e forcave Renea.
Ngjarja tragjike e ditës së enjte në lumin Buna në fshatin Darragjat ku u mbytën Dhurim Arra 39 vjeç dhe Frenki Pëllumbaj 14 vjeç, ka një histori vërtet shumë prekëse.
Agron Hoxha, përfaqësues i Komuniteti Mysliman nëpërmjet një postimi në facebook ka treguar në detaj të gjithë kronikën e një tragjedie që brenda saj ka shumë sakrifice dhe heroizëm.
Dhurim Arra kishte shkuar në Shkodër për të blerë ushqime për familjen e tij, gruan dhe 4 fëmijët, në prag të festës së Kurban Bajramit. Rrugës së kthimit me motor ai dëgjoi mamanë e Frenki Pëllumbajt që po kërkontge ndihme pasi djali I mitur po I mbytej në lumin Buna. 39 vjecari nuk nguroi të futej në lum për të shpëtuar djalin 14 vjec, por pati edhe ai fat tragjik.
Një 39 vjeçar, baba i katër fëmijëve po kthehej me motorr nga qyteti ku kishte blerë disa ushqime për familjen dhe dhurata për fëmijët e tij të vegjël për Bajram. Duke kaluar afër lumit të Bunës dëgjon një grua që bërtiste me ngashërim dhe kërkonte ndihmë se po i mbytej i biri. Pa e menduar gjatë, lë motorrin e tij në rrugë dhe vrapon drejt lumit për ti ardhur në ndihmë djalit të panjohur të gruas së panjohur.Por, nuk qe e thënë… ujrat e rrëmbyeshme që kishin përpirë 14 vjeçarin, shkëputën edhe babain e ri nga katër fëmijët e tij të mitur.Ai quhej Dhurim dhe me sakrificën e tij sublime për ti shpëtuar jetën një fëmije që nuk e njihte, na dha të gjithëve një mësim, pikërisht në ditët e “Bajramit të Sakrificës”.Dhurimi ishte një mysliman i ri, nga një familje e nderuar në fshatin Belaj që po kthehej të lumturonte fëmijët e tij të vegjël me dhuratat e Bajramit, ndërsa djali që deshi të shpëtonte ishte nga një familje katolike nga Puka dhe kishte hyrë të freskohej në ujrat e Bunës. E ç’rëndësi ka kjo!? Tek e fundit çdo jetë është e shejtë dhe është urdhër hyjnor që të bëhet çdo sakrificë për ta shpëtuar, shkruan më tej në postimin e tij në facebook, Agron Hoxha përfaqësues i KMSH, i cili shton se Dhurimi është shembulli konkret i sakrificës që duhet kujtuar pikërisht në këtë ditë që përkon me Kurban Bajramin.
E ne teksa flasim me shumicë e me fjalë të mëdha për sakrificën në këto ditë, duhet ti bëjmë vetes disa pyetje të thjeshta. Sa jemi të gatshëm të sakrifikojmë për të tjerët? Çfarë jemi të gatshëm të sakrifikojmë? A jemi të gatshëm të sakrifikojmë gjërat tona më të vyera për të tjerët?E pra, kur tu bëni dhurata njerëzve tuaj të dashur në këto ditë, kujtoni edhe fëmijët e Dhurimit, të cilët shtërngojnë fort dhuratat e Bajramit që u kishte blerë babai i tyre dhe i kishte lënë mbi motorrin e tij në rrugë, teksa vraponte për të shpëtuar një fëmijë tjetër…





