Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Klodjan Braho sqaroi para Komisionit të Ligjeve se hetimet për ngjarjen e rëndë të 21 janarit të vitit 2011 ku mbetën të vrarë 4 protestues, ende vazhdojnë. Gjatë raportimit vjetor në Kuvend, Braho preferoi të mos thotë detaje për këtë dosje hetimore pavarësisht këmbënguljes së deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
“Është çështje në hetim dhe hetimet vazhdojnë. Nuk ka koment tjetër për këtë çështje. Unë e kuptoj ndjeshmërinë e rastit, por nuk e zgjidhim dot këtu në këtë seancë këtë çështje dhe ato pretendime”, tha Braho.
Ndër çështjet që u diskutuan në Komisionin e Ligjeve ishte edhe çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, dhe deputeti demokrat Oerd Bylykbashi pyeti nëse SPAK do të vijë sërish në parlament për të kërkuar arrestimin e deputetes socialiste Balluku pasi SPAK-u ka njoftuar se po hetohet edhe për korrupsion dhe pastrim parash.
“A do të ketë një kërkesë për heqje imuniteti mbi bazën e provave dhe akuzave të reja sërish në parlament? Se duhet të mendojmë ne ç’duhet të bëjmë që ky parlament të mos e bllokojë sërish SPAK-un?”, tha Bylykbashi.
“Nuk mund të them se si do të jetë vendimmarrja, nëse do të ketë apo jo. Por ajo që u garantoj është që do të jetë një vendimarrje e bazuar në ligj, në provat që siguron hetimi, duke marrë parasysh edhe arsyet se pse parlamenti vendosir rrëzimin e kërkesës”, tha Braho.
Por vetë drejtuesi i SPAK deklaroi se mbështet idenë që ministrat e deputetët të mos kenë mbrojtje ligjore as nga arrestimi.
“Unë jam i mendimit që s’duhet të ketë imunitet fare”, tha Braho.
Drejtuesi i SPAK para Komisionit të Ligjeve theksoi vullnetin për të vazhduar aksionet për sekuestrimin e pasurive që janë krijuar nga krimi
“Produktet, pasuritë që kanë origjinë nga krimi, sidomos nga krimi i organizuar, sidomos nga grupe kriminale me shtrirje ndërkombëtare, janë si një tumor në ekonomi dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse ato të sekuestrohen dhe të konfiskohen. Sepse nuk shërbejnë për asgjë tjetër përvecse i fuqizon ato grupe e u jep fuqi financiare që të vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Dhe është pikërisht ai produkt që është potenciali që sjell pastaj korrupsionin e zyrtarëve publikë”, tha Braho.
Mazhoranca shfrytëzoi raportimin e Drejtuesit të SPAK-ut për të deklaruar se PS është gati të ndryshojë Kushtetutën për tu dhënë mundësi prokurorëve të posaçëm një mandat të ri.
“Ju duhet të keni të drejtën të kandidoni për një mandat të dytë”, tha Manja.
Sipas Kushtetutës mandati i prokurorëve të SPAK-ut është 9 vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Ndryshimi i Kushtetutës për këtë çështje është kërkuar nga çdo drejtues i SPAK-ut por deri më tani nuk ka një nismë konkrete. Grupit të parë të prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati në vitin 2028.





