Në Bazën Ajrore Rinas u zhvillua ceremonia e hapjes së Shkollës Kombëtare të Fluturimit, një investim i ri në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura dhe forcimit të kapaciteteve të Forcës Ajrore Shqiptare.
Në aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, të cilët theksuan rëndësinë e këtij projekti për të ardhmen e mbrojtjes dhe përgatitjen e kuadrove të reja ushtarake.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se procesi nuk ka qenë i lehtë në fillim, por sot rezultatet janë konkrete:
“U prit me humor në fillim dhe me përqeshje, pastaj vazhdoi me akuza për falimentim, dhe ja ku jemi sot, Shkolla Kombëtare e Fluturimit çel dyert e saj,” u shpreh Kryeministri.
Ai theksoi gjithashtu se Forcat e Armatosura sot janë më të mirëpaguara në rajon, ndërsa synimi është që Shqipëria, në rrugën drejt BE-së 2030, të arrijë standarde të krahasueshme me vendet e NATO-s sa i përket kontributit të shtetit dhe profesionalizmit të forcave.
Rama shtoi se po vihet re një rritje e interesit të të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura, duke e cilësuar këtë si një “kapitull të ri në raportin e rinisë me FA”. Ai theksoi gjithashtu se shkolla e re e fluturimit do të shërbejë jo vetëm për trajnimin e pilotëve shqiptarë, por edhe për certifikimin e pilotëve të rinj nga vendet e NATO-s në rajon, duke përmendur edhe Kosovën.
“Sot Forca jonë e Armatosur është më e mirëpaguara në rajonin tonë dhe ambicia jonë e shpallur është që në rrugën drejt shqupërisë 2030 në BE, FA do të jenë në mesataren e Forcave të NATO-s për sa i përket kontributit të hstetit, taksapaguesve për pagat e tyre. Më vjen mirë që falë edhe punës së përkushtuar të lidershipti të Ministrisë së Mbrojtjes, jemi duke përjetuar një kapitull të ri në raportin e rinisë me FA. E kemi nisur këtë përpejkje me vështirë për të afruar të rinjtë, por sot është gjithmonë e më e vështirë të zgjedhësh midis shumë kandidaturave që vijnë. Kemi një numër të konsiderueshëm të interesuarish. Shkolla jonë kombëtare e fluturimit është e hapur edhe për të stërvitur dhe certifikuar pilotët e rinj të vendeve të NATO-s në rajonin tonë, duke filluar nga Kosova”, tha shefi i qeverisë.
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi e cilësoi ditën si të rëndësishme për Forcën Ajrore:
“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme, po hedhim një gur tjetër në themelin e fuqizimit të kapaciteteve të Forcës sonë Ajrore. Shkolla përfaqëson një hap drejt transformimit dhe modernizimit,” u shpreh ai.
Nufi shtoi se ky investim përbën një vlerë të shtuar për sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e vendit, ndërsa shprehu bindjen se të rinjtë që do të trajnohen aty do të përmbushin me dinjitet përgjegjësinë që mbart uniforma ushtarake.





