Vala e protestave, sipas kreut të operatorëve turistikë në Sarandë, Arben Çipa, po jep një ndikim minimal te flukset e pushuesve që vijnë në vendin tonë.
Sipas tij, prurjet më të rëndësishme turistike Sarandës i vijnë përmes portit të Korfuzit dhe jo përmes Tiranës. Prandaj dhe anulimet e prenotimeve, raportuar nga operatorët turistikë të Sarandës, shton ai, janë në shifra minimale.
“Sezoni turistik po vazhdon mirë, ka anulime të vogla, që janë të përballueshme. Tubimet masive mirë është të zhvendosen në një periudhë tjetër dhe jo gjatë sezonit. Turizmi funksionon me imazhe dhe imazhet e tubimeve nuk janë kurrë në favor të tubimeve”, tha Çipa.
Arben Çipa nënvizoi edhe se operatorët e Sarandës i mbështesin investimet e mëdha në vendin tonë.
“Biem dakord që investitorët e huaj janë të mikpritur. Turizmi ka ndryshuar tashmë dhe investimet duhet të jenë të mëdha dhe serioze”, tha Çipa.
Më herët, edhe ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja ka deklaruar se kjo klimë protestash nuk është marketing i mirë për Shqipërinë në periudhën kur sapo ka ndezur motorët e sezonit turistik.





