Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi grupi i punës për zgjerimin, COELA i dha dritën jeshile raportit të piketave të ndërmjetme, IBAR e tashmë dosja do të kalojë në këshillin e ambasadorëve të 27 shteteve anëtare të BE-së në COREPER.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj kritikëve që, sipas tij, kishin deklaruar se negociatat ishin bllokuar dhe se Shqipëria ishte ndëshkuar nga Europa.
“Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi”, shkroi kreu i qeverisë.
Rama akuzoi kundërshtarët politikë se kanë dëmtuar imazhin e vendit, duke iu referuar protestave dhe kritikave të bëra në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të vulosë me sukses fazën hyrëse dhe do të çelë fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.
Kryeministri e cilësoi procesin e integrimit si një “histori suksesi”, që sipas tij po ndërtohet “me vizion, punë e përkushtim”.
Edi Rama: Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.
U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.
Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi
Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton
Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE
Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik Forca Shqipëria
Ai shprehu mirënjohje për institucionet shqiptare, ekipin negociator dhe qytetarët që mbështesin rrugën europiane të Shqipërisë.





