Partia Demokratike ka kërkuar që parlamenti të ndërhyjë menjëherë për heqjen e taksave mbi naftën për fermerët dhe transportin publik. Kryetari i PD Sali Berisha deklaroi se të gjitha vendet e BE po mbështesin sektorin e bujqësisë në këtë periudhë të rritjes së çmimit të karburantit, duke rritur subvencionet.
“Vendosim këtu të rikthejmë me ligj subvencionin e naftës duke hequr ndaj saj çdo taksë jo vetëm për fermerët, por edhe për transportin publik. Ju e morët vesh se u pakësuan me 40 përqind linjat e autobusëve, ndaj dhe të bëjmë këtu një ndërhyrje urgjente që të subvencionojmë fermerët. Vijnë miliarderët e naftës dhe e marrin me 600 lekë naftën, dhe ata kanë rëndësi në ekonomi se hapin shishe shampanje me Ramën. Po ky është turp mo, a përfaqësoni ju apo ata fermerë apo jo?”, tha Berisha.
Por ministri i Bujqësisë Andis Salla mbrojti skemën e re të qeverisë për fermerët dhe vendimin për të hequr subvencionin për karburantin.
“Për fermerët shqiptarë është një skemë që e kemi përafruar me BE, është një skemë nga buxheti i shtetit 52 mln euro, në rritje nga viti i kaluar. Përveç kësaj kemi edhe një minimum 15 mln euro të vendosur për 10% e kompensimit të çdo fature të cilën ai që punon tokën do të marrë kompensimin në çdo produkt bujqësor. Qeveria shqiptare ka akorduar mbi 100 mln euro që do të jenë këtë vit vetëm për subvencionet dhe pagesat direkte për ta çuar sektorin në një hap tjetër. Po ecim me një shifër shumë të mirë mes fermerëve, përpunuesve dhe agro përpunuesve që kemi në funksion të plotë dhe po ndërtojmë me bashkitë ShBB-të në mënyrë që sektori i bujqësisë të ecë me një ritëm tjetër”, tha ministri.
Prej momentit që çmimi i karburantit u rrit për shkak të situatës në Lindjen e Mesme, opozita ka kërkuar përgjysmimin e taksave mbi karburantin dhe naftë pa taksa për fermerët.





