Finalizohet operacioni policor i koduar “Strike” në Vlorë, pas një denoncimi të bërë nga një 30-vjeçar për kanosje dhe zhvatje.
Sipas Policisë, tre shtetas kanë kërcënuar të riun për t’i marrë shumën prej 30 mijë eurosh dhe më pas i kanë marrë automjetin, duke u larguar me të deri në përmbushjen e kërkesës së tyre. Menjëherë pas kallëzimit, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, u ngrit një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i tre autorëve të dyshuar: shtetasit A. G., 26 vjeç, M. B., 22 vjeç dhe M. H., 29 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Gjatë operacionit u sekuestruan si automjeti i autorëve, ashtu edhe mjeti tip “BMW” që i ishte marrë 30-vjeçarit. Nga hetimet rezulton se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, ku i riu është kanosur në një ambient publik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për vijimin e hetimeve, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
/vizionplus.tv





