Një ditë pas zjarrit masiv që përfshiu pallatin 12 katësh te zona e njohur si “Farmacia 10” në kryeqytet, policia ka vënë nën hetim ndërtuesin e kompleksit “Arlis”, Armand Lilo. Po ashtu është arrestuar administratori i pallatit Agron Cara, menaxherja e marketit Razie Sula, si edhe inxhinieri i kompanisë Enver Ademi dhe Altin Furtuna, kontraktori që ka bërë fasadën.
Zjarri dyshohet se ka nisur në cepin e një marketi në disa mbeturina kartoni që i kishin lënë punonjësit e marketit. Zjarri aksidentalisht ka përfshirë mbeturinat dhe më pas është përhapur dhe në fasadën e pallatit. Zjarri i përmasave të mëdha shkaktoi panik te banorët dhe dëme të shumta materiale. Këta të fundit thonë se ndihen të pashpresë përballë dëmit që kanë pësuar.
“Shtëpinë e kam blerë 150 mije euro para dy vitesh. Nuk na lanë as të futeshim brenda për ta parë”, thotw njw banor.
Sipas informacioneve paraprake, raportohen më shumë se 30 apartamente të shkrumbuara. Flakët u favorizuan edhe nga materialet e jashtme të ndërtimit që rezultuan të dobëta.
Ndërkohë në një deklaratë zyrtare kompania “Arlis” thotë se të gjitha punimet janë realizuar, duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit dhe sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Megjithatë, shoqëria “Arlis Ndërtim” sh.p.k pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjithë apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit.”
Për të shuar flakët u angazhuan disa mjete zjarrfikëse, forca të policisë dhe ekipet e emergjencës, të cilat bënë të mundur evakuimin e dhjetëra banorëve të bllokuar në apartamente. Në operacion u përdorën edhe shkallët e larta për nxjerrjen e qytetarëve nga katet e sipërme apo dhe helikopterë të forcave ushtarake për të fikur flakët.
Rreth 11 persona mbetën të lënduar, kryesisht nga asfiksia prej tymit, ndërsa u transportuan drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Pas disa orësh në luftë me flakët, zjarri u arrit që të fiket, ndërkohë edhe paraditen e kësaj të mërkure forcat zjarrfikëse hodhën sërish ujë në disa apartamente, pasi kishte prezencë tymi. Autoritetet pritet të bëjnë edhe ekspertizën teknike për sigurinë e pallatit për të parë nëse ka rrezik apo jo për banorët.





