Nga Blerina Cene
Kryeministri Edi Rama do të dëshmojë në Gjyktën e Posaçme në cilësinë e ish- kryetarit të bashkisë së Tiranës për dosjen “Partizani”. Kërkesa e bërë nga grupi mbrojtës i dy të pandehurve, përkatësisht z. Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Genc Gjokutaj e ka parë urdhërin e gjykatës për të thirrur kryeministrin si domosdoshmëri në një kohë kur ka qenë firma e tij ajo që ka finalizuar ndërtimin e 17 ndërtesave mbi trojet e Partizanit.
“Thirrja e Ramës ishte domosdoshmëri dhe mungesë e hetimit, pasi Prokuroria në hetim ka thirrur komisionin e kthimit të pronave, ka thirrur njerëz që kanë marrë urdhër nga Rama dhe nuk ka thirrur urdhërdhënësin që është Rama vetë. Kështu që thirrje Ramës ishte domosdoshmëri që gjykata nuk mund ta anashkalonte”, tha Gjokutaj, i cili shtoi se “sipas radhës do të presim që edhe ai të japë dëshminë e tij”, tha Gjokutaj.
Njëzëri mbrojtja pretendon se Rama kur ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës, përpiloi bazën ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit nga klub sportiv në shesh ndërtimi.
Gjatë seancës së mërkurës, prokurorja Enkeleda Millonai që përfaqëson akuzën e SPAK, bashkë me Arben Krajën kërkuan që seancën e ardhshme të thirret si dëshmitar i parë, Taulant Balla si kallëzues i çështjes Partizani.
Po ashtu në 30 prill do të merret edhe dëshmia e gjashtë personave të tjerë, President i klubit të futbollit Partizani, ish drejtori, ish-presidenti, drejtoresha e Agjencisë së Pronave në Tiranë dhe një topograf.
Ndërkaq, Gjykata e sheh të pavend thirrjen si dëshmitar të oficerit të policisë gjyqësore, Besmir Karanxha për të cilin mbrojtja kishte sjellë një foto që sipas tyre provon se ai ka qenë i pranishëm në një nga mitingjet e Partisë Socialiste.
Të bashkëpandehur në proces janë ndërtuesi Fatmir Bektashi, që ndërtoi 17 pallate mbi këto troje, noterja Andia Pustina dhe shoqëritë “Homplane” dhe “Kontakt”.





