Nuk ka arritur një rezultat konkret takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku për zgjedhjen e presidentin të Kosovës.
Pas rreth dy orësh bashkë në Kuvend, palët konfirmuan se nuk ka ende progres konkret, ndërsa koha për arritjen e një marrëveshjeje po shkurtohet.
Kryeministri deklaroi se mbetet i përkushtuar për të shmangur zgjedhjet e reja, duke theksuar se ato nuk do të ishin zgjidhje për situatën aktuale politike.
Kurti bëri të ditur se ende nuk ka emra konkretë në tryezë dhe se diskutimet po vazhdojnë me partitë e tjera për të arritur shumicën e nevojshme prej 84 deputetësh.
Nga ana tjetër, kreu i LDK-së tha se takimi nuk solli zhvillime të reja, por konfirmoi se përpjekjet për një zgjidhje konsensuale do të vazhdojnë.
Abdixhiku theksoi gjithashtu se asnjë parti nuk mund të mbajë e vetme të gjitha pozitat kryesore shtetërore, duke nënvizuar nevojën për kompromis politik.
Aktualisht, partitë mbeten larg një marrëveshjeje për presidentin, ndërsa u kanë mbetur edhe 3 javë kohë, presioni politik po rritet nga dita në ditë. Vendi rrezikon zgjedhje te reja.





