Qëndrimi përfundimtar i mazhorancës për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, do të vuloset ditën e enjte.
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë grupin parlamentar së bashku me qeverinë në Pallatin e Brigadave, ku diskutimet do të bazohen mbi raportin që do të paraqitet nga socialistët në seancën parlamentare pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve.
Raportin e shumicës do ta hartojë Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të Ligjeve, njëherazi edhe anëtar i Këshillit të Imunitetit.
Tashmë me mosdakordësinë e palëve, opozita dhe mazhoranca do të shkojnë me raporte të ndara, ku demokratët ishin të prerë në qëndrim dhe lajmëruan se do të rekomandojnë heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Ndryshe deklaruan socialistët. Të hënën ishte kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, i cili nuk dha një vendim konkret, ama e cilësoi të mjaftueshme masën e pezullimit ndaj Ballukut.
Megjithatë, fjalën e fundit do ta ketë parlamenti. Pritet që raportet të diskutohen gjatë seancës së 5 marsit, ndërsa kërkohet një shumicë e thjeshtë prej 71 votash për heqjen e imunitetit të socialistes Belinda Balluku.
Ajo akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për shkelje të barazisë në tenderin për Tunelin e Llogarasë dhe është në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.
Pasi Kuvendi të shprehet për kërkesën e SPAK, socialistët do të vijojnë me ndryshimet ligjore në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, përmes së cilave synohet që gjykatat të mos pezullojnë dot edhe Presidentin, kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Avokatin e Popullit dhe Kreun e KLSH./vizionplus.tv





