Pas takimit të dielën në Gjenevë, Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio është shprehur se diskutimet ishin frytdhënëse dhe kanë përparuar.
“Tani, natyrisht, si çdo marrëveshje përfundimtare, do të duhet të miratohet nga presidentët, dhe ka disa çështje për të cilat duhet të vazhdojmë të punojmë. Ishte ndoshta dita më produktive që kemi pasur për këtë çështje, ndoshta në tërësinë e angazhimit tonë, por sigurisht në një kohë shumë të gjatë. Por puna mbetet, dhe për shkak se kjo vazhdon të jetë një punë në proces, – nuk dua të shpall fitoren ose përfundimin këtu. Ka ende punë për t’u bërë”, tha Rubio.
Ndërsa u pyet nëse Ukraina kishte rënë dakord në lidhje me lëshimin e territoreve, Rubio u përgjigj: Thjesht nuk do të hyj në detajet e temave që u diskutuan sepse ky është një proces i vazhdueshëm. Ajo që është e rëndësishme të kuptohet në mënyrën se si funksionojnë këto gjëra është se duhet që të kesh një propozim, duhet ta shkruash. Nëse është vetëm verbal, është në ajër, duhet ta lësh në një copë letër. Dhe vetëm pse është shtypur në një copë letër nuk tregon përfundim. Pra, merr mendime, dhe bazuar në ato mendime bën rregullime. Ky është një proces i vazhdueshëm.
Ndërkohë në një deklaratë Shtëpia e Bardhë sqaroi se për çfarë kanë rënë dakord në këtë takim Uashingtoni dhe Kievi.
“Diskutimet treguan përparim domethënës drejt përafrimit të pozicioneve dhe identifikimit të hapave të qartë të mëtejshëm. Çdo marrëveshje e ardhshme duhet të mbështesë plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe të ofrojë një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë. Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të vazhdojnë punën intensive mbi propozimet e përbashkëta në ditët në vijim. Palët gjithashtu do të mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët europianë ndërsa procesi përparon”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky riafirmoi bashkëpunimin me partnerët për përfundimin e luftës.
“Ne të gjithë vazhdojmë të punojmë me partnerët, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, për të kërkuar kompromise që do të na forcojnë, por jo të na dobësojnë dhe do të vazhdojmë të shpjegojmë se sa e rrezikshme është të pretendosh se agresioni është diçka që thjesht mund ta anashkalosh dhe të ecësh përpara”, tha Zelensky.
Plani fillestar 28-pikësh që rrodhi në media javën e kaluar po shihet gjerësisht si i favorshëm për Moskën pasi përfshin propozime të cilat kievi I ka përjashtuar më herët.Përvec lëshimit të territorit, i kërkohet ukrainës të reduktojë ushtrinë të mos marrë më ndihma ushatarake nga SHBA-të, asnjë armë me rreze të gjatë dhe të heqë dorë nga aspiratat për tju bashkuar NATO-s.





