Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka dënuar ashpër manipulimin dhe ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale të vendit fqinj, duke i cilësuar ato si armiqësore dhe përshkallëzuese.
Në një postim në rrjetet sociale vetëm një ditë pak para mbajtjes së zgjedhjeve lokale Terras tha se “ndikimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë në zgjedhje janë bërë sërish të qarta”.
“Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë publikisht kanë shpallur mbështetjen e tyre për një parti të caktuar politike serbe të Kosovës, kanë shpallur zgjerimin e skemës së ndihmës sociale në Kosovë dhe kanë njoftuar për mundësi të reja të punësimit afatshkurtër në institucionet e drejtuara nga Serbia në Kosovë, në ditët para zgjedhjeve”, tha Terras.
Ai u bëri thirrje autoriteteve të Beogradit të ndalin veprimtarinë e ndërhyrjes në zgjedhjet në Kosovë dhe t’i lejojnë qytetarët t’i zgjedhin në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre lokalë.
“Veprimet e Serbisë kanë për qëllim të drejtpërdrejtë përshkallëzimin e situatës tashmë të ndjeshme në Kosovë dhe janë qartësisht armiqësore”, shtoi Terras.
Zyrtarët e Beogradit përfshirë vetë presidentin Aleksandër Vuçiç, kanë bërë premtime për serbët e Kosovës dhe u kanë bërë thirrje atyre ta mbështesin Listën Serbe.
Në këto zgjedhje garojnë edhe katër parti të tjera serbe, si dhe disa iniciativa qytetare, të cilat kanë kandidatë kryesisht në një komunë.
Vuçiç paralajmëroi më 5 tetor hapjen e konkursit për 400 vende të reja pune në fushën e shëndetësisë në Kosovë./vizionplus.tv





