Presidenti Ilir Meta deklaroi se pandemia e koronavirusit mund të mposhtet nëse të gjithë liderët janë të bashkuar dhe e menaxhojnë mirë situatën. Gjatë takimit të Nivelit të Lartë të Përkujtimit të 75-vjetorit të themelimit të OKB, Meta u shpreh shpresëplotë se gjithë kjo krizë do të kalojë.

 

“Pandemia COVID-19 e ka zhytur botën në një krizë të ashpër shëndetësore dhe ekonomike, e një lloji të tillë që nuk ishte parë prej gati një shekull. Gjithsesi, ndryshe nga përvojat e Luftërave Botërore, kësaj radhe jemi të tërë bashkë në një front, të gjithë duke luftuar kundër pandemisë globale të COVID-19. Me një udhëheqje të mirë politike dhe profesionale, me një solidariteti të madh, me një koordinim më të mirë si dhe një menaxhim të mençur, ne mundemi dhe do t’ia dalim mbanë me sukses! Do të kemi sukses, pasi zotërojmë instrumente dhe mekanizma shumëpalëshe, të mishëruara në Kombet e Bashkuara dhe në agjencitë e saj të specializuara, të cilat sot gëzojnë një përvojë 75-vjeçare.”

 

Ilir Meta tha se Kombet e Bashkuara mbetet një gur themeli për bashkëpunimin shumëpalësh, nga i cili fiton bashkësia globale. Ai shtoi se është e nevojshme të trajtohet mungesa e besimit dhe të ruhen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

 

“Vendi im ndan plotësisht vizionin për një rajon më të sigurt, me një perspektivë të qartë evropiane si dhe me mekanizma gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme për t’iu kundërvënë e për të luftuar edhe kërcënimet e reja të sigurisë. Kandidatura e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, është një zotim për t’u angazhuar në të gjitha përpjekjet që synojnë ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, për të mbështetur zhvillimin e demokracisë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, vijoi më tej Ilir Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *