Subscribe

45  deputetë të opozitës duke nisur nga Sali Berisha, Gazment Bardhi, Monika Kryemadhi e Agron Duka e Fatmir Mediu janë bashkuar për t’i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë  ndryshimin e rregullores të miratuar pak ditë më parë me forcën e kartonëve të opozitës.

Në ankimimin e dorëzuar pranë gjykatës 45 ligjvënësit e opozitës theksojnë se përjashtimi me dy muaj i deputetit që thyen rregulloren e kuvendit bie ndesh me Kushtetutën dhe rrezikon të lë qytetarët pa përfaqësuesit e tyre në parlament.

Të vetmit që nuk i janë bashkuar kësaj nisme janë 10 deputetët që njohin si kryetar të PD Lulzim Bashën. Basha ka vendosur të fokusohet tek çështja e imunitetit, duke propozuar një ndryshim në rregulloren e parlamentit që deputetet të mos kenë mbrojtje ndaj SPAK-ut.

“Projekt vendimi për ndryshimin e rregullores së kuvendit krijon bazën ligjore që deputetët brenda 5 ditësh nga miratimi i propozimit dhe brenda 5 ditësh nga fillimi i legjislaturës të depozitojnë pranë kryetarit të kuvendit një deklaratë me shkrim me të cilën heqin dorë nga procedurat parlamentare për heqjen e imuniteti”, ka thënë Rezart Kthupi, sekretar për çështjet ligjore në PD.

Ideja e Lulzim Bashës për të hequr imunitetin me rregulloren e kuvendit nuk është as e re dhe as origjinale.

Në vitin 2011 Sali Berisha, asokohe kryeministër, propozoi lënien e imunitetit duke vendosur një parashikim në rregulloren e kuvendit. Në 24 shkurtin e atij viti Sali Berisha e Lulzim Basha votuan këtë rregullore, e cila nuk solli efekte në realitet, pasi në hierarkinë e akteve ligjore Kushtetuta qëndron më lart se një akt që kërkon 71 vota për tu miratuar.

Dhe realisht imuniteti u kufizua në vitin 2012 kur Sali Berisha e Edi Rama bashkuan votat për të ndryshuar Kushtetutën. /vizionplus.tv

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *