Projekti i qeverisë për paqen fiskale tashmë po shkon drejt zyrtarizimit final, pas miratimit në parim nga kuvendi gjatë kësaj jave. Por çfarë parashikon ky projekt?
Që pas viteve ‘90 e deri më sot janë 202 mijë biznese të cilat kanë detyrime të papaguara në tatime dhe dogana, duke akumuluar një borxh që arrin në 160 miliardë lekë.

Shumë prej këtyre biznese janë pasivë, pra e kanë mbyllur aktivitetin. Arman Hasko, auditues, gjatë një interviste në Vizion Plus në emisionin “E-ZONE” tha se paqja fiskale është thjesht amnisti.
“Tani i kanë vënë një emër të ri, nga amnisti në paqe fiskale. Është e njëjta gjë. Po i fale biznesit një detyrim që duhet ta dorëzonte në arkën e shteti quhet amnisti”, tha Hasko.
Borxhet e krijuara deri në vitin 2014 do të fshihen automatikisht nga administrata fiskale. Ndërsa borxhi i dhjetë viteve të fundit do të ketë lehtësira, por me kusht që të paguhet pjesërisht një pjesë e detyrimit.

Do të falen detyrimet e papaguara në tatime dhe dogana, por nuk do të falen sigurimet shoqërore, ato shëndetësore si dhe taksat lokale

Pjesa që mbart edhe më shumë diskutime është fakti që ky projekt parashikon një marrëveshje me tatimet, që biznesi nëse dëshiron mund të rishikojë bilancet e viteve të mëparshme dhe të rivlerësojë fitimin me një tatim të reduktuar 5%.
“Kjo është pjesa më e rrezikshme e kësaj nisme. Ti i thua biznesit që hajde deklaro ato para që i kishe detyrim t’i deklarojë në kohë reale dhe të tatoj me një normë më të ulët. Në këtë pikë të projekti ka rrezik që të legalizohen para që mund të vijnë nga burime informale dhe jo nga para biznesesh të ndershme”, tha Hasko.
Qeveria thotë se kjo nismë do të sjellë një marrëdhënie të re me biznesin me synimin që të mos ketë kontrolle tatimore. Por për ekspertët e fushës ky ligj ka një mesazh negativ.
“Ne po i themi biznesit që ti mos paguaj detyrimet, se do të vijë një ditë që unë do t’i fal. Ndërkohë ne duhet të bëjmë të kundërtën. T’i nxisim bizneset të paguajnë në kohë reale”, përfundoi Hasko në “E-ZONE”.
Paqja fiskale pritet të miratohet nen për nen në kuvend gjatë muajit dhjetor.
/vizionplus.tv





