Zjarri në Prespë drejt shuarjes, flakët shkaktuan dëme të mëdha në bimësinë e Parkut Kombëtar
Prej tre ditësh zjarri masiv që ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në Parkun Kombëtar të Prespës, duke shkaktuar dëme në zonat me bimësi, është drejt shuarjes.
Në terren janë angazhuar një numër i madh forcash zjarrfikëse.
“Në total janë rreth 150 forca të angazhuara, në të katërta rastet që ka patur qarku jonë ka patur të angazhuar mbi 1000 forca e mbi 100 mjete, kjo ka bërë të mundur që të kemi aktiv vetëm këtë rast, besoj se falë favorizimit të uljes të temperaturave ta evitojmë sa më shpejt. Përllogaritet rreth 6-7 hektarë të bimësisë janë prekur, besoj brenda dy ditëve kjo vatër do të neutralizohet plotësisht”, tha prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole.
Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, dhe drejtori i zjarrëfikëses Gjergji Koki, thanë se terreni i thyer malor ishte një nga pengesat kryesore që ka ngadalësuar ndërhyrjen ndërsa dëmi është i konsiderueshëm.
“Nuk dua të dal në konkluzion por të lë të dyshosh se është keqdashje. Marr shkas nga ajo që kaluam nga viti i kaluar, këtu terreni është shumë i vështirë bien gurë, është dhe risk për burimet njerëzore. Ne i kemi porositur të kenë kujdes”, tha Kolefski.
“Është shpejt për të bërë vlerësimin e dëmeve. Fatmirësisht zjarri është vetëm në bimësine e ulët, kjo patjetër sjell dëm në ekosistem. Shpresojmë të neutralizojme këto dy vatra. Vlen të theksohet se është dëm më i vogël se viti i kaluar, reagimi ka qenë i shpejtë. Edhe këtu duket që ka qenë pakujdesi. Një pakujdesi e vogël shkakton një situatë katastrofike dhe gjithë këta njerëz janë në terren e të lodhur”, tha Koki.
Nga ana tjetër, vatrat e zjarrit në Dishnicë, Kapshticë dhe Strelcë janë të izoluara totalisht dhe nuk janë riaktivizuar./vizionplus.tv




