Situata e zjarreve në vend paraqitet përgjithësisht e stabilizuar, ndërsa disa vatra vijojnë të jenë aktive në qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa ekipet në terren po punojnë për shuarjen e plotë të vatrave dhe monitorimin e zonave të prekura.
Në Dajt vijon monitorimi i një vatre zjarri. Ndërkohë, në Cikallesh të Kavajës, zjarri i riaktivizuar një ditë më parë mbetet aktiv, por situata është nën kontroll dhe po menaxhohet nga strukturat zjarrfikëse, me mbështetjen e mjeteve ajrore të Forcave të Armatosura.
Punimet për shuarjen e vatrave të vogla vijojnë edhe në Priskë të Madhe.
Në Mallakastër, zjarri në zonën Riban–Ngraçan–Panahor–Ndrenie–Vlosht është nën kontroll. Po ashtu, nën kontroll është edhe zjarri që ka avancuar nga Hekali në drejtim të zonës Koilac–Greshicë.
Situata është stabilizuar edhe në Abaze të Krujës, ku zjarri është nën kontroll. Në terren kanë mbetur disa vatra të vogla me tym, të cilat po monitorohen dhe po trajtohen nga ekipet e angazhuara.
Për menaxhimin e situatës në Krujë janë angazhuar dy helikopterë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse, si dhe 12 efektivë dhe tre mjete të MZSH-së.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin në të gjitha zonat e prekura, ndërsa ndërhyrja do të vazhdojë deri në shuarjen dhe eliminimin e plotë të çdo vatre aktive.





