Zhdukja e dy shokëve në Sarandë/ Arrestohet një 28-vjeçar, dyshohet se ka informacion mbi ngjarjen
Prej ditësh, në Sarandë po vijojnë kërkimet për dy të zhdukurit Leonard Thodhori e Fatmir Sulovari, por ata nuk janë gjetur ende. Pas hetimeve disaditore, agjentët arrestuan një person në qytetin e Sarandës. Sofokli Baxheri, sipas policisë, dyshohet se ka kryer veprime, që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Hetuesit besojnë se ai gjeti shtëpinë me qira në fshatin Nivicë , aty ku është gjendur një makinë tip “Benz”, me të cilën dyshohet se janë rrëmbyer dy të zhdukurit. Baxheri po ashtu mund të jetë implikuar në transportimin e Leonard Thodhorit e Fatmir Sulovarit.
Burimet bënë të ditur se i arrestuari nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, pasi i druhet një hakmarrjeje të mundshme nga anëtarët e grupit kriminal, që rrëmbyen dhe zhdukën Sulovarin dhe Theodhorin.
Pak ditë më parë, agjentët sekuestruan edhe një automjet të blinduar me targa greke, i cili dyshohet se është përdorur nga agresorët. Fuoristrada me xhama të zinj është zbuluar në një plantacion mandarinash, në fshatin Xarrë të Konispolit.




