Në Turqi u mbajt sot raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, që përfaqëson një sprovë të fortë për udhëheqjen prej afro dy dekadash të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

 

Atje ka nisur procesi i numërimit të votave që do të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve mes presidentit aktual dhe kandidatit të koalicionit opozitar, Kemal Kilicdaroglu.

Qendrat e votimit u hapën në oën 8.00 me orën lokale dhe u mbyllpën në 17.00

 

Erdogan votoi në Stamboll ndërsa kundërshtari i tij Kilicdaroglu votoi në Ankara.

 

Sipas sondazheve paraprake gara do të jetë shumë e ngushtë. 69 vjeçari Erdogan sfidoi anketimet paraprake dhe kryesoi në raundin e parë të votimeve, të 14 majit me një përqindje më të lartë mbështeteje se kundërshtari i tij Kemal Kilicdaroglu, por nuk ia doli të siguronte më shumë se 50 për qind të votave të nevojshme për t’u shpallur fitues dhe për të shmangur balotazhin presidencial.

 

Zoti Erdogan fitoi 49.4 për qind të votave, ndërkaq zoti Kilicaroglu arriti të merrte 44.9 për qind të votave.

 

Kjo ishte hera e parë në 20 vjet sa është në pushtet që Erdogan nuk fitoi zgjedhjet që në raundin e parë.

Këto zgjedhje nuk do të përcaktojnë vetëm udhëheqësin e Turqisë, një vend anëtar i NATO-s me 85 milionë banorë, por edhe se si do të qeveriset, cila do të jetë e ardhmja e saj ekonomike, ndërsa vlera e monedhës vendase ka shënuar rënie të madhe.

 

Zgjedhjet do përcaktojnë edhe se si do jetë politika e jashtme e Turqisë, një vend që ka zemëruar Perëndimin duke forcuar marrëdhëniet me Rusinë dhe vendet e Gjirit.

 

74 vjeçari Kilicdaroglu, është kandidat i aleancës opozitare i përbërë nga 6 parti dhe udhëheq Partinë Popullore Republikane.

Ai ka premtuar rikthimin në sistemin parlamentar të qeverisjes, nga sistemi presidencial ekzekutiv i zotit Erdogan, i miratur me referendum në vitin 2017, si dhe ka premtuar se do të ndryshojë politikën e jashtme të Turqisë duke forcuar lidhjet me Perëndimin dhe rishikim të politikave ekonomike të vendit.

 

Turqia strehon numrim më të madh të refugjatëve në botë, me rreth 5 milionë emigrantë, nga të cilët 3.3 milionë janë sirianë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme. Zoti Kilicdaroglu është zotuar të kthejë refugjatët sirianë./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *