E enjte, 22 Tetor 2026 Film TV deri në 00:31 Në vijim ora 00:31: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kosova

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, diaspora voton sot në përfaqësitë diplomatike

Prej orës 7:00 të mëngjesit e deri në orën 19:00 të mbrëmjes, sipas kohës lokale në përfaqësitë e ndryshme diplomatike, diaspora po voton për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Votimi në përfaqësi diplomatike ishte mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, ndërsa më herët kishte qenë i mundur vetëm votimi përmes postës.

Reklamë

Procesi i votimit po zhvillohet në 40 vendvotime, që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të huaja.

Këtu bëjnë pjesë gjashtë vendvotime në Gjermani, tri në Zvicër, dy në SHBA, dy në Kanada, dy në Itali, dy në Francë, dhe nga një në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari dhe Çeki.

Reklamë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se deri në orën 9:00 të mëngjesit kanë votuar rreth një mijë persona, apo 8.64 për qind e atyre që janë regjistruar.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli dukshëm e para nga votat në përfaqësi diplomatike.

Por, gjithsej 42 për qind e votave të fituara nga LVV-ja në ato zgjedhje ishin të pamjaftueshme që kjo parti, e cila ka qenë në pushtet e vetme që nga viti 2021, të qeverisë sërish vetë.

Dhe, pas shumë muajve me Kuvend të bllokuar e dështimit të dy mandatarëve për kryeministër për të siguruar vota të mjaftueshme për formimin e një qeverie të re, 28 dhjetori u vendos si data e zgjedhjeve të parakohshme.

Për të votuar në përfaqësi diplomatike janë regjistruar gjithsej 19.187 votues, nga gjithsej mbi dy milionë qytetarët me të drejtë vote në këto zgjedhje.

Gjithsej numri i diasporës që është regjistruar për të votuar në këto zgjedhje, përfshirë përmes votimit me postë është pak mbi 77 mijë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për votim do të vlejnë dokumentet identifikuese me afat të skaduar.

Por, askush që është regjistruar për të votuar nga diaspora nuk do të mund të votojë fizikisht në Kosovë të nesërmen, më 28 dhjetor, pasi që emrat e tyre janë tërhequr nga listat votuese në vend./REL

Më shumë video

Reklamë