Mes kaosit dhe protestave, Kuvendi mblidhet nesër në seancë plenare, ja çfarë përmban rendi i ditës

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet nesër në seancë plenare.
Sipas urdhrit të nënshkruar nga kryeparlamentari Niko Peleshi, seanca do të mbahet në orën 10:00.
Rendi i ditës përfshin një sërë çështjesh me rëndësi, përfshirë interpelancat me tre ministra: Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo; Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi; Ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Gjatë seancës pritet të shqyrtohen disa projekligje në disa fusha, si projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar”, e të tjerë.
Nesër është parashikuar të shqyrtohet edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Seanca e nesërme pritet të zhvillohet nën atmosferën delikate të protestave disaditore që po zhvillohen në vend, e që në jo pak raste janë shoqëruar me tensione dhe përshkallëzime.



