Zemërimi ndaj njerëzve me koronavirus në dy rajone të Gjermanisë, që janë nën izolim, është “plotësisht i papranueshëm “, tha zëdhënësi i kancelares, Angela Merkel, pas raportimeve se këta persona po shënjestrohen përmes fyerjeve dhe vandalizmit.

“Njerëzit nga Guetersloh dhe Uarendorf ndonjëherë fyhen, makinat e tyre janë gërvishtur, kjo është sigurisht një sjellje plotësisht e papranueshme dhe e pështirë”, tha Steffen Seibert, në një konferencë për media.

“Ne duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin me respekt dhe simpati, veçanërisht në situata të vështira”, tha Seibert, duke shtuar se çdokush mund ta gjente veten papritur duke jetuar në një rajon që mund të jetë “pikë e nxehtë” e epidemisë së COVID-19.

Të martën, autoritetet gjermane urdhëruan bllokime të reja në këto dy rajone, pas shpërthimit të koronavirusit në një fabrikë mishi, ku janë infektuar më shumë se 1.500 punëtorë.

Sidoqoftë, nga 1.655 teste të kryera në popullatën më të gjerë në Guetersloh deri të enjten, vetëm tre ishin pozitive, sipas autoriteteve lokale.

Disa shtete gjermane megjithatë kanë thënë se ata do të largojnë turistët e mundshëm nga rajonet e prekura.

Kryeministri i shtetit të Rhein-Uestfalisë, Armin Laschet, ka këshilluar njerëzit që të testohen për COVID-19 nëse dëshirojnë të udhëtojnë diku tjetër në Gjermani.

Gjermania u bë vendi i parë i madh në Bashkimin Evropian që filloi të lehtësojë kufizimet, rreth shtatë javë më parë./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *