E shtunë, 31 Tetor 2026 Te Paekspozuarit deri në 04:30 Në vijim ora 04:30: Lajmet e Fundit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Rajoni

Vuçiç mohon përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Ibër Lepenc: Ata e dinë që nuk e kemi bërë ne

Presidenti i Serbisë, Alleksandër Vuçiç, ka thënë sot se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë që ndodhi në veri të Kosovës ku u dëmtua kanali i Ibër Lepencit.

Ai shtoi se “këtë e di edhe Prishtina”.

Reklamë

Vuçiç komentoi ngjarjen gjatë një bisede me të rinjtë në forumin e SNS-së “Rinia e Serbisë, grackat dhe mundësitë”, duke u thënë atyre, veçanërisht atyre që merren me politikë, të mos reagojnë kurrë nën presion.

“Asnjëherë mos merrni vendime nën presion. Çka mendoni, pse nuk u nxitova sot në orën gjashtë të mëngjesit të them se Serbia nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Ibër Lepenc. E dini, ne mund ta bënim këtë dhe t’ua kthenim lumin përpjetë, nuk na duhej kurrfarë terrorizmi, pse t’u arsyetohem”, tha Vuçiç.

Reklamë

Ai shtoi se institucionet e Kosovës e dinë që nuk e kemi bërë.

“Pse të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat e botës, t’u kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë, pasi ata do ta interpretojnë si të duan. Prandaj gjithmonë duhet të shkojmë ngadalë, në fund, të gjitha gjërat bien në vendin e tyre”, deklaroi presidenti serb Vuçiç.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, hodhi poshtë pretendimet e Kurtit, duke thënë se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.

Ai tha se Serbia kërkon që të mbajnë përgjegjësi autorët e këtij sulmi dhe se është e gatshëm të ndihmojë në riparimin e dëmeve ndaj kanalit “qoftë financiarisht apo teknikisht”.

“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuric në një reagim në platformën X.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se shkatërrimi i kanalit ka rrezikuar furnizimin me ujë në komunat e veriut të Kosovës për popullin serb, “i cili tashmë jeton në kushte të vështira, veçanërisht në veri të Kosovës”.

Kryeministri Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për përfshirje në sulmin e mbrëmshëm terrorist në kanalin e Ibër Lepencit. Ai thënë se Serbia ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Vazhdo të lexosh

Reklamë