Gjykata Penale e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Përparim Ademin, autorin e vrasjes së dy motrave në ditën e ndërrimit të viteve, në zonën e Astirit në Tiranë.
Ademi u gjykua për veprën penale “Vrasje me dashje për shkak të marrëdhënieve familjare ” që dënohet me jo më pak se 20 vite burg ose me burgim të përjetshëm.
Avokati i tij tha se prokuroria e ndryshoi klasifikimin e veprës që në fillim ishte “vrasje në rrethana cilësuese”.
ARBEN GRAMO
AVOKAT
“Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg. Kjo është vepër penale që parashikohet nga veprat më të rënda, vetë personi e ka pranuar autorësinë. Prokuroria akuzoi Ademin fillimisht për vrasje në rrethana cilësuese, ndërsa sot kërkoi Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.”
I akuzuari sipas palës mbrojtëse, e pranoi vrasjen edhe përpara trupit gjykues, ndërsa ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.
“Ai është pohues për faktin penal dhe e ka pranuar versionin që jep organi procedues. Ademi është i rënduar psikologjikisht dhe shëndeti i tij nuk është i mire.”
Përparim Ademi vrau bashkëjetuesen e tij Zhaneta Metani dhe motrën e saj Kristina Bardhi, ditën e 31 dhjetorit në një pallat në zonën e Astirit.
Para grupit hetimor, ai tregoi se ngjarja pati motiv arsyet e xhelozisë, pasi kishte dyshime që Zhaneta kishte një marrëdhënie me dikë tjetër.
Krimi i dyfishtë ndodhi në praninë e dy fëmijëve të mitur, të cilët po trajtohen ende nga psikologët.