25 vjet burg për Emiljano Shullazin, SPAK shpall pretencën edhe për anëtarët e tjerë të grupit kriminal

Prokuroria e Posaçme kërkoi 25 vjet burg për Emiljano Shullazin, Plarent Dervishaj dhe tre të pendehur të tjerë për dy vrasjet e bujshme të biznesmenëve, Klodian Saliu e Vajdin Lame në vitin 2005.
Bashkëpunëtorë në krim, sipas SPAK, ishin edhe Viktor Imeraj, Indrit Taullai dhe Indrit Rusi, për të cilët po ashtu u kërkua nga 25 vjet heqje lirie. Për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçin u kërkua të 8 vjet dënim. Në total Prokuroria e Posaçme kërkon 158 vjet burg.
Luftar Reçi u përball me Viktor Ymerin, Emiljano Shullazin, Indrit Rusin dhe Endrit Taullain, shokët e dikurshëm të bandë, ndërsa i akuzon si organizatorë të vrasjeve.
Ai ka rrëfyer për organin e akuzës se porosinë për të ekzekutuar Klodian Saliun, mbrëmjen e 26 shkurtit të vitit 2005 në autostradën Durrës-Tiranë, e ka marrë nga Lul Berisha.
Ky i fundit i kishte ofruar një marrëveshje sipas së cilës, nëse ai do ekzekutonte Klodian Saliun, në këmbim Berisha do të vriste hasmin e tij.
I penduari tregoi edhe mënyrën se si ai, bashkë me Indrit Taullain përgatitën eksplozivin për të vrarë biznesmenin Vajdin Lame.
Bombën me telekomandë, e cila duhet të mjaftonte sa për të hedhur në erë një makinë, sipas Reçit, ia dorëzuan Emiljano Shullazit. Ky i fundit më pas e vemdosi në ashensorin e pallatit, ku mbeti i vdekur Vajdin Lame dhe miku i tij, Artan Arsi.




