Votohet në Bosnje Hercegovinë, zgjedhjet test për të ardhmen e vendit

Qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës iu drejtuan sot kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme, në një proces që pritet të ndikojë jo vetëm të ardhmen politike të vendit, por edhe rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.Më shumë se 3.4 milionë votues janë thirrur të zgjedhin tre anëtarët e Presidencës kolektive, deputetët e Parlamentit kombëtar, si dhe përfaqësuesit në institucionet e dy entiteteve, Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republikës Sërpska.
Në qendër të kësaj gare janë edhe orientimet e ndryshme politike. Kandidatë në pjesën boshnjake të vendit kanë bërë thirrje për përshpejtimin e reformave dhe afrimin me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Por në Republikën Sërpska, partia e udhëhequr nga politikani separatist, Millorad Dodik, vijon të mbajë një pozicion të fortë.
“Të gjithë duhet të dalin të votojnë dhe të demonstrojnë se vullneti i popullit nuk mund të përmbyset nga makinacionet e ndryshme që ata kanë tentuar së fundmi, siç janë procedurat e orkestruara gjyqësore. Ne duhet të tregojmë se ky vullnet do të mbetet i lidhur në mënyrë të paprekshme me Republikën Serbe dhe vetë thelbin e kombit serb”, tha Millorad Dodik, kryetari i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur.
Dodik vetë nuk është kandidat në fletëvotim, pasi është dënuar dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike. Megjithatë, fytyra e tij është shfaqur në billboardet elektorale në të gjithë Republikën Sërpska, ndërsa partia e tij mbetet një nga forcat kryesore politike në këtë entitet.Zgjedhjet zhvillohen në një sistem të ndërlikuar, të krijuar pas Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës së viteve 1992-1995. Ndarjet etnike mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe zgjedhjet.Tensionet janë rikthyer në vëmendje edhe pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, ish-komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjës, i dënuar nga tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime lufte. Varrimi i tij me nderime në Beograd ka shkaktuar reagime të forta në Bosnje dhe ka rihapur plagët e luftës.
Për herë të parë në rang kombëtar, procesi zgjedhor shoqërohet me identifikim biometrik të votuesve dhe skanerë elektronikë të fletëve të votimit, të vendosur për të reduktuar abuzimet dhe manipulimet. Por problemet teknike kanë shkaktuar vonesa në hapjen e disa qendrave të votimit.Sipas Reuters, rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë i rëndësishëm edhe për ambiciet evropiane të Bosnje dhe Hercegovinës. Vendi mori statusin kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2022, ndërsa negociatat nuk kanë nisur ende, për shkak të reformave të paperfunduara, përfshirë ato në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.Në një vend ku politika vazhdon të ndahet përgjatë vijave etnike, vota e 4 tetorit shihet si një tjetër test për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe për të ardhmen e saj mes integrimit evropian dhe ndikimit të Rusisë.




