Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për Rozeta Dobin, e arrestuar për vjedhjen e mbi 500 mijë eurove në banesën e ish-zyrtares Alda Klosi, ku punonte si sanitare.
Më 19 mars të këtij viti, Gjykata e Tiranës dënoi me 2 vite e 6 muaj burg ish-zyrtaren e ministrisë së Financave Alda Klosi e akuzuar për fshehje të pasurisë. Klosi përfitoi ulje me 1/3, duke u dënuar përfundimit me 20 muaj burg.
Rozeta Dobi u dënua me 7 vite burg e cila me gjykim të shkurtuar do të vuajë 4.8 vite, ndërsa djali i saj Havier Dobi u dënua me 5 vite, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë vetëm 3.4 vite.
Ndaj vendimit kanë bërë ankim:
E pandehura me iniciale A. K (Ç), e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm.
E pandehura me iniciale R. D, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, dhënien e një dënimi më të butë.
I pandehuri me iniciale H. D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit. Deklarimin fajtor për veprën penale të “Vjedhjes” dhe aplikimin e nenit 406 të K.Pr.Penale. Në zbatim të nenit 59 dhe 60/9 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e pavuajtur të dënimit, duke e vënë në provë të pandehurin.
Në përfundim të gjykimit, më datë 02.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare z. Fuat Vjerdha dhe anëtare z. Genti Shala dhe z. Genti Dokollari, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit Nr. 665, datë 19.03.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Denoncimi për vjedhjen e e parave në banesën e ish-zyrtares Klosi u bë më 15 dhjetor 2022. Alda Klosi kallëzoi në polici se i ishin vjedhur qindra mijëra euro në banesë në rrugën e Kosovarëve në Tiranë. Në janar 2023 policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat i ishin fshehur në tubin e aspirimit të banesës së tyre.
Ndërsa Havierit iu sekuestruan dy makina. Vetë Alda Klosi kishte bërë denoncimin për vjedhjen e 120 mijë eurove, 30 mijë dollarë dhe bizhuterive. Pas arrestimit pastruesja ‘e penduar’ e drejtësisë tha se eurot i mori në shtëpinë e Alda Klosit. Një muaj më pas, në shkurt 2023 u krye arrestimi i ish-zyrtares e cila vijoi të mohonte se shuma e parave që u gjet në tubin e aspirimit nuk i përkisnin asaj edhe pse Rozeta Dobi tregoi se paratë ishin marrë aty!
/vizionplus.tv





