VIDEO/ Indrit Tuci vendimtar në Slloveni, shqiptari i jep fitoren Olimpija Ljubjanës

Indrit Tuci ka qenë protagonist absolut në kampionatin slloven, duke shënuar golin që i dha tri pikët Olimpija Ljubjanës në përballjen ndaj Kalcer Radomljes.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi golin e vetëm të takimit, në fitoren 1-0 të skuadrës së tij në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të kampionatit.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 44-t, kur Tuci dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Olimpija Ljubjanën në avantazh pak çaste përpara përfundimit të pjesës së parë.
Ky realizim rezultoi vendimtar për fatin e takimit, pasi rezultati nuk ndryshoi deri në vërshëllimën përfundimtare. Falë golit të shqiptarit, Olimpija siguroi një fitore me shumë vlerë në garën për kreun e renditjes.
Me këtë realizim, Tuci shkon në kuotën e gjashtë golave sezonalë, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon me fanellën e skuadrës sllovene.
Tri pikët e fituara e ngjitin Olimpija Ljubjanën në vendin e dytë të klasifikimit, me 26 pikë, vetëm tri më pak se Koperi kryesues.
Një tjetër paraqitje pozitive për sulmuesin kuqezi, i cili po konfirmohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së tij në këtë sezon.




