Avionët ushtarakë francezë dhe jordanezë kanë hedhur 7 tonë ndihma humanitare dhe mjekësore për një spital të ngritur në Khan Younis, qyteti i dytë më i populluar në Rripin e Gazës. Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i presidencës franceze.

Jordania kishte hedhur edhe më herët furnizime humanitare dhe mjekësore në Gaza. Ishte hera e parë që Forcat Ajrore Franceze merrte pjesë në një mision të tillë, ndonëse Parisi ka dërguar, me rrugë tokësore, rreth 1000 tonë ndihma humanitare në enklavën palestineze.

Zyrtari i presidencës franceze tha se operacioni u zhvillua të enjten mbrëma, duke përfshirë dy avionë, një francez dhe një jordanez.

“Situata humanitare mbetet kritike në Gaza”, shkroi presidenti francez Emmanuel Macron në Platformën X.

Zyrtari francez nuk specifikoi se cilat sende u hodhën nga avioni ose nëse Izraeli kishte dhënë “dritën jeshile” për misionin. Izraeli miratoi më herët një operacion të ngjashëm të furnizimit nga Forcat Ajrore Jordaneze në nëntor.

Koordinimi i Aktiviteteve Qeveritare të Izraelit në Territoret Palestineze pretendoi se situata humanitare po stabilizohet në Gaza dhe mohoi që Izraeli po bllokon transportin e furnizimeve mjekësore, filtrueseve të ujit dhe baseneve të tendave./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *