Në një takim me strukturat e LSI-së në Kashar, Monika Kryemadhi tha se duhet të përfshihen në takime kryesisht ne të rinjtë.

“Ne mendojmë që duhet t’u japim fund me zgjedhjet e 25 prillit çdo lloj abuzimi që bën çdo parti politike, çdo individ politik, me pushtetin që u është dhënë nga qytetarët. Prandaj i ftojmë të gjithë që më 25 prill të kenë shansin dhe mundësinë për të shkuar në kutinë e votimit, për të votuar dhe ndryshuar këtë realitet i cili për hir të së vërtetës është bërë i pamundshëm”.

Ajo tha se duhet të përqëndrohen në programin për arsimin dhe rimbursimin me 5 pqe qind të shpenzimeve të çdo familjeje shqiptare.

“Unë dua të theksoj që në prioritetet dhe angazhimet tona, që tashmë do vijnë duke u shtuar edhe më shumë dhe ne fillojmë e piketojmë, nuk kemi të bëjmë vetëm me procesin e legalizimit në të gjithë zonën e Kasharit, ku njerëzit vazhdojnë dhe janë akoma pjesë e presionit që u bëhet nga institucionet e shtetit në këmbim të votës, për të marrë një certifikatë legalizimi, apo ndihmën ekonomike e shumë problematika të tjera.”

Kryemadhi theksoi se në marrëveshjen që LSI do të nënshkruajë me PD-në, një nga pikat e panegociueshme për të dyja palët, është çështja e rindërtimit.

“Nëse nuk duan të votojnë LSI-në, le të votojnë PD-në, nëse nuk duan as PD-në le të votojnë këdo tjetër, por mjafton mos të votojnë Rilindjen. Pse e them këtë? E them këtë sepse qytetarët duhet të shkojnë të votojnë. Duhet të shkojnë të votojnë për 1001 arsye, qoftë edhe për ata që kanë paguar faturat e kripura të Covidit dhe nuk u doli për zot, edhe për ata të cilëve iu premtuan pagat e luftës dhe nuk iu dha asnjë pagë lufte. Edhe për ata që iu mbyllën bizneset, edhe për ata që kanë pasur mundësinë të bënin diçka për jetë e tyre, por nuk i la kjo situatë. Për studentët, për banorët e Unazës së Re, për ata që duan të legalizojnë shtëpitë, për banorët e tërmetit, që edhe sot vazhdojnë u thonë që ju duhet të vini të na votoni ne, sepse po nuk na votuat ne nuk do t’u japin paratë e rindërtimit”, shtoi kryetarja e LSI. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *