Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Sekretaren e Shtetit të Republikës së Austrisë për Rininë dhe Gjeneratat, Claudia Plakolm.

 

Duke marrë shkas nga viti ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë, por edhe për Bashkimin Europian ky është shpallur po ashtu Viti Europian i Rinisë, Veliaj ka kërkuar më shumë projekte të përbashkëta mes të rinjve të dy vendeve.

 

“Ajo çka biseduam është si të gjejmë një mënyrë që djemtë dhe vajzat e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, me djemtë dhe vajzat e Vjenës, Linzit, Grazit dhe Austrisë, të shfrytëzojnë mundësinë e Vitit Europian të Rinisë për Bashkimin Europian dhe shpalljen e Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ndonjëherë, duhet një arsye për t’u lidhur, ndaj ne kemi motivin e përkryer me këto dy ngjarje,” u shpreh Veliaj.

 

Ai përmendi disa prej programeve, por dhe fusha të reja bashkëpunimi ku mund të shkëlqejnë edhe të rinj të talentuar dhe që na kanë krenuar me historitë e tyre të suksesit në Vjenë.

 

“Biseduam edhe si të gjejmë mundësi, përtej ERASMUS dhe Interreg, për disa programe standarde të Bashkimit Europian, që të shtojmë disa aktivitete të tjera nga organizatat rinore, kompani të ndryshme austriake, apo dhe nisma të djemve e vajzave të Austrisë dhe Shqipërisë në fusha si arsimi profesional, çështjet e emergjencave civile, çështjet e mjedisit, sporti, kultura, muzika, arti. Ne kemi disa talente shqiptaro-austriake, si Eno Peçi e të tjerë, që tashmë janë një histori suksesi, janë krenari për ne dhe mezi pres që ta mbushim këtë kalendar me 1000 aktivitete dhe me një kontribut fantastik nga Austria,” vijoi kryebashkiaku.

 

 

Sekretarja e Shtetit të Republikës së Austrisë për Rininë dhe Gjeneratat, Claudia Plakolm, u shpreh e lumtur për sfidat e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht mes të rinjve.

 

“Mezi po i pres bashkëpunimet tona gjatë Vitit Europian të Rinisë. Është mundësi fantastike që këtë vit e kemi Tiranën Kryeqytet për Rininë në Europë. Mezi po i pres aktivitetet që mund të organizojmë bashkë, dhe mezi po pres gjithashtu që të sjellim më shumë të rinj për shkëmbime midis Shqipërisë dhe Austrisë”, u shpreh Claudia Plakolm.

 

Kryebashkiaku i Tiranës i dhuroi në fund në shenjë simbolike Sekretares së Shtetit Austriak për Rininë edhe Kullën e Sahatit.

 

“Tirana mbush 102 vite si kryeqytet i Shqipërisë. Është një kryeqytet i ri, jo si Vjena që ka qenë përherë kryeqytet. Kjo Kullë Sahati është “kilometri 0” i çdo distance në Shqipëri. Tregon orën, por është gjithashtu një kujtesë se koha është dhurata më e çmuar që ne i japim njëri – tjetrit,” e mbylli fjalën e tij Veliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *