Subscribe

Blloku i banimit “Federik Shiroka” në njësinë 7 në Tiranë, po merr një pamje të re. Projekti i rikualifikimit të plote urban u siguron banorëve, rrugë më të mira, trotuare, hapësira rekreative si dhe një kënd lojërash për fëmijët. Gjatë inspektimit të punimeve kryebashkiaku Erjon Veliaj tha se këtë vit fokusi do të jetë në investime në lagjet periferike.

 

“Jam shumë i lumtur që e kemi filluar vitin e ri me marshin e pestë, kur vjen puna tek ndërhyrjet kapilare. Në këtë vit të fundit të mandatit, fokus do të jenë ndërhyrjet nëpër lagje dhe në periferi, për t’u siguruar që siç është punuar me të njëjtin cilësi në sheshin “Skënderbej”, tek Pazari i Ri, Liqeni, kështu të punohet në çdo cep të Tiranës. Njësia 7 është ndoshta një nga njësitë më të populluara, ndoshta një qytet i dytë pas Tiranës, ndaj fakti që blloku “Frederik Shiroka” e nis me këmbë të mbarë këtë vit të ri, besoj se është një lajm i mirë për të gjithë banorët. Puna fillon në zemër të Tiranës dhe mbaron në periferi, deri te Dogana ose Terminali i Autobusëve. I kemi marrë blloqet mbarë.”

 

Veliaj vuri theksin edhe tek mbështetja buxhetore e këtij viti për investime të tilla dhe falenderoi gjithashtu banorët për mirëkuptimin.

 

“Qytetarët kanë bashkëpunuar, kanë tërhequr muret, kanë lejuar një trotuar, kanë liruar disa hapësira të zaptuara për të bërë një kënd lodrash. Bashkimi bën fuqinë! Po të jemi të bashkuar dhe po të jemi të gjithë bashkëpunues, siç kemi qenë deri tani, nëse na lejon moti, në kohë rekord do vazhdojmë me asfaltin, me sinjalistikën. Jemi kujdesur që të ketë një proporcion të drejtë midis hapësirave rekreative, kënde lojërash dhe hapësirave për makinat. Pra, as nuk po e kthejmë të gjithën në kënd lojërash, se sigurisht që duhet të ketë makina, po as mund ta bëjmë të gjithë parking.”

 

Kryebashkiaku tha se këto investime kanë rritur ndjeshëm vlerën e pronës për çdo qytetar të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *