Ulen temperaturat, parashikimi i motit për këtë të hënë

Prezenca e një qendre të presionit të lartë atmosferik mbi rajonin e Ballkanit do të favorizojë kushte të qëndrueshme atmosferike në vendin tonë.
Orët e paradites do të karakterizohen nga mot i kthjellët, me kthjellime më të theksuara përgjatë vijës bregdetare. Në pjesën tjetër të territorit do të mbizotërojë mot i kthjellët, i shoqëruar herë pas here me vranësira të lehta.
Gjatë pasdites dhe në vijim, moti do të vijojë të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira të herëpashershme në të gjithë territorin. Mundësia për reshje do të jetë thuajse zero.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë, duke u luhatur nga 6°C në Ersekë, ku pritet të shënohet edhe vlera minimale, deri në 27°C në rang vendi.
Era do të fryjë me intensitet mbi mesataren, duke arritur shpejtësi maksimale mbi 40 km/h, kryesisht nga drejtimi veriperëndimor. Për pasojë, përgjatë brigjeve detare pritet të krijohet dallgëzim deri në 2 ballë.




