E hënë, 16 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking 1/2 përditësuar 38 minuta më parë
Bota

Ukrainë/ Rusia shënjestron objektet energjitike dhe portet në Odessa, mbi 120 mijë familje pa energji

Rajoni i Odesës në Ukrainën jugore u shënjestrua përsëri sot nga sulmet ruse që dëmtuan infrastrukturën energjetike.

Incidenti u shënua pas sulmeve ukrainase ndaj anijeve cisternë të lidhura me Rusinë në Detin e Zi dhe Mesdhe.

Në javët e fundit, ushtria ruse ka goditur porte, ura dhe termocentrale në këtë rajon të Ukrainës jugore në Detin e Zi. Presidenti rus Vladimir Putin kishte kërcënuar të shtonte sulmet ndaj porteve ukrainase në përgjigje të operacioneve të Kievit.

Sulmet e sotme shënjestruan “infrastrukturën energjetike dhe industriale” , si dhe “një depo që përmbante plehra dhe materiale bujqësore” dhe plagosën një person, sipas guvernatorit rajonal të Odessa-s, Oleg Kiper.

Sipas autoriteteve, sulmet shkaktuan gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike në më shumë se 120,000 familje. Kompania private e energjisë DTEK tha se po punonte “intensivisht” për të rivendosur rrjetin.

“Armiku nuk ndalet së godituri rajonin e Odessa-s. Rusia po përpiqet të shkatërrojë logjistikën e transportit detar duke nisur sulme sistematike ndaj infrastrukturës energjetike dhe portuale “, tha Ministri i Rindërtimit Oleksiy Kuleba në një postim në Telegram.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Moskën se dëshiron të “mbjellë kaos, të ushtrojë presion mbi popullsinë e Odesës dhe ukrainasit gjatë dimrit”.

Sipas Forcave Ajrore Ukrainase, Rusia nisi 86 mjete ajrore pa pilot (dronë) kundër Ukrainës gjatë natës, 58 prej të cilave u rrëzuan.

Vazhdo të lexosh

Reklamë