Ushtria e Ukrainës tha të shtunën se ekziston një kërcënim nga sulmet me raketa ruse kundër vendit, ndërsa ushtria ruse po përqendron përpjekjet në zgjerimin e kontrollit në pjesën lindore të Ukrainës. Ndërkohë, sot në orët e para të mëngjesit u dëgjuan shpërthime të forta në Kiev dhe qytetin perëndimor të Lvivit.

 

Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Shputun tha se ushtria ruse ka përqendruar deri në 22 grupe taktike ushtarësh në zonën e Izyumit.

 

“Përpjekjet kryesore të armikut janë të përqendruara në rigrupimin dhe forcimin e trupave të tij, vazhdimin e bllokadës së pjesshme të qytetit të Kharkivit dhe sulmet me artileri”.

 

Rusia gjithashtu vazhdon të kryejë sulme kundër qyteteve të Popasnaya-s dhe Rubizhnoye-s në lindje të vendit dhe po përpiqet të marrë nën kontroll të plotë qytetin e Mariupolit, tha ai.

 

“Në Donetsk dhe Tavryisk, ushtria ruse po përpiqet të ruaj kontrollin në territoret e pushtuara. Ata po përforcojnë pozicionet e tyre ushtarake, duke dislokuar më shumë trupa dhe pajisje ushtarake atje. Ata po përpiqen të përmirësojnë pozicionet taktike dhe po vazhdojnë bombardimet në shumicën e drejtimeve.”

 

Ndërkohë, në Kiev dhe qytetin perëndimor të Lvivit të shtunën, në orët e para të mëngjesit u dëgjuan shpërthime.

 

Sulmet vijnë pas humbjes nga Rusia të lufanijes kryesore të saj. Ukraina konfirmoi të premten se “Moskva” ishte goditur nga dy raketa ukrainase.

 

Zëdhënësja e ushtrisë ukrainase për operacionet në jug të vendit, Natalia Homeniuk nuk dha detaje të operacionit, por tha se sulmi u krye nga forcat ukrainase.

 

“Është e vërtetë që ka patur një operacion dhe sulm kundër një grupi të anijeve ruse. Në këtë operacion është goditur luftanija më e sofistikuar e marinës ruse në Detin e Zi, “Moskva”. Goditja rezultoi në shpërthimin e municionit në bordin e luftanijes ruse”, tha ajo.

 

Luftanija që kishte emrin e kryeqytetit të Rusisë, Moskës, u fundos të enjten ndërsa po tërhiqej drejt një porti rus, pasi kishte pësuar dëme të mëdha nga goditja.

 

Moska hodhi poshtë zërat se luftanije ishte sulmuar, duke thënë vetëm se një zjarr kishte shkaktuar shpërthimin e municionit në bordin e saj.

 

Shkatërrimi i luftanijes “Moskva” përfaqëson një fitore të rëndësishme për Ukrainën dhe një humbje simbolike për Rusinë.

 

Fundosja e saj zvogëlon fuqinë ushtarake të Rusisë në Detin e Zi dhe simbolizon fatin e Moskës në tetë javë sulm, i parë gjerësisht si një gabim historik pas tërheqjes ruse nga rajoni i Kievit dhe pjesa më e madhe e Ukrainës veriore./ Voa

Leave a Reply

Your email address will not be published.