Muhammet Isler është një sipërmarrës nga Turqia që jeton dhe punon prej vitesh në Shqipëri.
Ai thotë se investimet turke po riorientohen në sektorët me potencial zhvillimi, siç është turizmi, bujqësia, teknologjia. Shifrat e bankës konfirmuan se të huajt investuan në prona, kryesisht në zonat bregdetare si 6-mujorë 253 milion euro këtë vit, shifër rekord.

Por pse të huajt po e shohin sektorin e turizmit me kaq interes për zhvillim?
“Ne shohim që ky sektor ka një rritje të qëndrueshme vit pas viti. E ardhmja duket se do të jetë në zhvillimin e mëtejshëm të tij. Por janë disa problematika që kanë nevojë për përmirësim. Duhet të ecim më shumë në përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike. Ky sezon na tregoi se kemi ende probleme në furnizimin me ujë të zonave bregdetare. Kemi probleme ende në furnizim me cilësi, me energji elektrike apo edhe në rrugët kryesore dhe dytësore në zonat turistike. Pra në tërësi kemi një problem të madh me cilësinë e shërbimit, që i ofrojmë turistit i cili vjen për tu qetësuar dhe jo për tu stresuar”, tha Isler në Vizion Plus.
Por a mundet të bëhet Shqipëria njësoj si Turqia në aspektin turistik?
“Mendoj se minimalisht nevojitet një 5-vjeçar që të kemi një përmirësim të shërbimeve në turizëm. Ndërkohë, Shqipëria është sot, sikundër ka qenë Turqia 20 vite përpara në turizëm. Pra duhen 20 vite që të kemi turizmin njësoj si Turqia”, shtoi Isler.
Z.Isler përfaqëson edhe dhomën e tregtisë Turqi-Shqipëri, “Musaid Albania”, e cila pritet të mbajë forumin ekonomik në 17 tetor në Tiranë. Mbi 500 sipërmarrës nga vende të ndryshme të botës do të jenë prezent në Shqipëri për tu njohur me potencialin që ofron Shqipëria për investim.
/vizionplus.tv





