“Çlirohen” pallatet pa kolaudim, qeveria lejon që dritat dhe uji të lidhen pa u mbyllur procedurat

Nëse keni blerë një apartament në një pallat të ri, nuk do t’ju duhet të prisni më kolaudimin e objektit për të bërë lidhjen e energjisë elektrike apo të ujit. Projektligji i ri është tashmë gati dhe synon të shkurtojë procedurat, duke u mundësuar qytetarëve të hyjnë më shpejt në banesat e tyre.
Kjo nismë vjen vetëm dy javë pasi Shoqata e Ndërtuesve ngriti këtë shqetësim para kryeministrit Rama. Ndërtuesit kërkuan që certifikata e përdorimit të mos ishte më kusht për lidhjen e energjisë elektrike dhe ujit, një procedurë që deri më sot ka penalizuar shumë familje.
“Sigurisht që është një nismë e mirë për t’i dhënë mundësi çdo qytetari që ka blerë pronën të futet dhe të akomodohet. Janë ata qytetarë që e kanë marrë për investim, por ka edhe nga ata që e kanë jetike, pra paguajnë qira diku tjetër, ndërkohë që paguajnë edhe kredi. Kështu që, pse të mos futen?!”, tha Ervin Demirxhiu, ekspert i Pasurive të Paluajtshme.
Sipas ekspertëve, ky projektligj do t’u jape fund vonesave administrative, që kanë lënë në pritje shumë qytetarë, të cilët, edhe pse kanë blerë një pronë, nuk mund të zhvendosen në të.
“Kolaudimi i objektit ka pasur raste që është vonuar shumë, jo për shkak të ndërtuesit, por për shkak të burokracive të shtetit. Ka pasur raste, faktikisht, që për shkak të moskolaudimit të objektit janë lënë pa u bërë edhe lidhjet e dritave apo të ujit,duke lënë jashtë qyterët”, shtoiDemirxhiu
Projektligji nuk përfshin vetëm apartamentet në pallatet e reja, por edhe qytetarët që ndërtojnë vetë banesat e tyre private. Nisma e deputetes Besa Spaho ka marrë tashmë miratimin e Komisionit të Ligjeve.




