E mërkurë, 25 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 9 minuta më parë
Sociale

Ministri Salla: 21 miliardë lekë për bujqësinë, dyfishojmë mbështetjen për faturat e fermerëve

Siguria ushqimore, subvencionet për fermerët dhe fondet europiane IPARD ishin në fokus të intervistës së ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi.

Z.Salla bëri me dije se në prag të festave të fundvitit do të ketë kontrolle të shtuara në markete, supermarkete dhe në të gjithë territorin, për të garantuar sigurinë e produkteve që konsumojnë qytetarët.

Sa i përket buxhetit për vitin 2027, ministri deklaroi se për bujqësinë janë parashikuar 18 miliardë lekë nga Ministria e Bujqësisë dhe 3 miliardë lekë të tjera nga Ministria e Financave, duke e çuar mbështetjen totale në 21 miliardë lekë.

Ndërsa për fondet IPARD, Salla tha se dosja është plotësuar dhe tashmë pritet një përgjigje nga Komisioni Europian për vlerësimin e programit IPARD III.

Reklamë

INTERVISTA E PLOTË:

Kemi pasur lajme kohë pas kohe se nga territori ynë kanë dalë produkte bujqësore, por janë ndaluar në disa vende të Bashkimit Europian për arsye të sasisë së tepërt të pesticideve. Por  nuk po dëgjojmë lajme të bllokohen produktet tona bujqësore ndërkohë që ato me logjikë kanë të njëjtën sasi pesticidesh. Ç’mund të na thoni?

Andis Salla: Po, e vërtetë është që sasia e cila është bllokuar sot nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është një sasi që kanë tentuar të futen në territorin e Shqipërisë, por mbas të gjitha kontrolleve që janë kryer, është ndaluar dhe po ndiqen procedurat ligjore. Po ashtu edhe produktet që ju përmendni, patjetër që ka shqetësime të kësaj natyre, por ne jemi gjithë kohën në monitorim të situatës, por edhe ndaj produkteve që importohen në Shqipëri, që ne të kemi një kontroll të shtuar edhe ndaj pikave doganore, por edhe në territor, sidomos tani në kohën e festave të fundvitit që do të kemi një urdhër të posaçëm për të gjitha produktet edhe në territorin e Shqipërisë, në markete, supermarkete, në të gjithë tregun në mënyrë që ne të kemi një kontroll sa më të shtuar, por edhe një siguri ushqimore mund të thoshim për konsumatorët shqiptarë.

Jemi në prag të miratimit të buxhetit. Praktikisht nesër në parlament do të miratohet buxheti për vitin 2027. Ju do të më korrigjoni, por bujqësia do të ketë një buxhet prej 18 miliardë lekësh që do të jetë 10% më shumë se një vit më parë. Mirëpo ju e dini që fermerët shqiptarë vazhdojnë të mbeten të pakënaqur sepse ankohen që subvencionet janë të pamjaftueshme ndërkohë që çmimet e të gjitha shërbimeve janë rritur.

Andis Salla: Po, është e vërtetë, 18 miliardë lekë janë për Ministrinë e Bujqësisë e cila ndahet në fushat përkatëse siç është skema kombëtare, siguria ushqimore, por edhe mbështetja për investimet që janë për bordin e kullimit, por edhe për bashkitë e territorit të Shqipërisë ku ata zënë një rol të rëndësishëm në bujqësi për pastrimin e kanaleve, por edhe investimet që duhet të kryejnë. Dua të theksoj këtu që edhe 30 milionë euro ose 3 miliardë lekë të tjera akordohen këtij buxheti, por që janë në Ministrinë e Financave për sektorin bujqësor; është edhe 10% i faturave që fermerët marrin në këmbim të dërgimit të faturave që na sjellin pranë tatimeve dhe ne e kemi dyfishuar për vitin 2027 mbështetjen për 10% e faturave që na sjellin ne në sektorin bujqësor. Pra, një buxhet prej 18 miliardë lekësh i akordohet dhe 3 miliardë lekë të tjera që shkon në total 21 miliardë lekë.

Ju e dini që fermerët nuk janë të kënaqur me subvencionet. Ju shpresoni sipas dokumenteve që të arrini të subvenciononi rreth 44.000 fermerë në Shqipëri me buxhetin e ri, ndërkohë që janë rreth 110.000 gjithsej. Çfarë bëhet me të tjerët?

Andis Salla: Ne i japim akses e mundësi fermerëve që të aplikojnë. Në pjesën fillestare ne kemi 5.3 miliardë lekë në skemën kombëtare siç kemi pasur edhe vitin e kaluar, por që kemi mbuluar të gjithë sektorin, ata që kanë aplikuar pranë Ministrisë së Bujqësisë.

Disa herë autoritetet, ju, ministria keni premtuar se fondet IPARD po lirohen, do të lirohen, në një kohë që ende nuk janë liruar. Cilat janë lajmet më të fundit nga fondet e Bashkimit Europian?

Andis Salla: Është e vërtetë që ka pasur një kohë të zgjatur për këtë proces, por duke qenë se ka qenë në fazën tjetër institucioni që janë autoritetet ligjzbatuese për këtë proces që është në gjykatë. Dhe unë dua të thosha se procedura të cilën ne e kemi ndjekur në marrëveshje me Bashkimin Europian lidhet pikërisht me dakordësinë e të gjitha procedurave ligjore që ne kemi kryer në atë çfarë na është kërkuar nga Bashkimi Europian. Tashmë ne jemi në fazën përfundimtare kur dosja është plotësuar dhe jemi në fazën ku presim një përgjigje nga Komisioni për vlerësimin e IPARD III.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.