“The Miss Globe 2024” ka mbyllur me sukses turin e jugut të Shqipërisë duke iu drejtuar tashmë Tiranës, kryeqytetit të finales së madhe të 15 tetorit nga ku do të shpallet dhe fituesja e globit për 2024 – ën.
Vlora ka qenë qyteti mikpritës i 2 ditëve të delegacionit të më të bukurave të globit ku dhe do të zhvillohej në ambientet e “Priam Hotel” gjysmë finalja e dytë e talent show, pas asaj në Guci.
27 Konkurrente performuan me talentin e tyre mbrëmjen e 4 tetorit dhe dita tjetër rezervoi surpriza të bukura me vizitën e tyre në muzeun e “Pavarësisë” dhe muzeun e artit “Selami” në Kuzum Baba.
Më pas turi vazhdoi drejt Dhërmiut dhe ujërave të kaltra të Jonit për ta mbyllur në qytetin e Himarës nën mikpritjen e ngrohtë të Bashkisë dhe kryetarit të sapo zgjedhur Z.Vangjel Tavo ku dhe u zhvillua nata finale e talentit.
Pas 2 orësh spektakël votat maksimale të jurisë i fitoi “Miss Thailand” e cila fiton të drejtën e performancës në spektaklin e madh të 15 tetorit si artiste e mirëfilltë.
Duke lënë pas Himarën delegacioni iu drejtua Malësisë së Tepelenës në promovimin e agroturizmeve të zonave rurale, një projekt ambicioz i qeverisë shqiptare, që i mahniti konkurrentet me natyrën dhe kulinarin tradicionale të zonës siç ishte Glealb.
Stacioni i fundit i turit më të gjatë të ndodhur gjatë këtyre 21 viteve ishte Berati, qyteti 2400 vjeçar ku vajzat qëndruan 3 netë dhe e finalizuan qëndrimin e turit te tyre.
Vajzat sfiluan në tapetin e kuq mbi urë me kostumet tradicionale dhe veshjet elegante nën sytë e qindra turistëve të huaj dhe qytetarëve bujar beratas.
E gjithë mikpritja u organizua nga Bashkia Berat dhe qytetari nr1 i qytetit z.Ervin Demo i cili iu rezervoi vajzave një pritje të ngrohtë në ambientet e Bashkisë.
Tashmë emocionet e garës janë shtuar dhe delegacioni është përqendruar në zonën e Golemit për të vijuar me provat dhe turin e Tiranës. /vizionplus.tv