Ndërsa protestat kundër projektit në Zvërnec dhe Sazan janë shtrirë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, me tubime solidarizuese të organizuara nga diaspora në disa vende europiane, gazetari Kujtim Vani nga Londra thotë se pjesëmarrja e emigrantëve ka qenë e konsiderueshme, por sipas tij protestës i mungon organizimi dhe një drejtim i qartë.
Në një lidhje direkte për emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus, Vani u shpreh se një pjesë e madhe e protestuesve janë bashkuar jo vetëm për çështjen e Zvërnecit, por edhe për probleme të tjera që prekin shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Gazetari Vani: Një shumicë e madhe e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë këtu janë solidarizuar me protestën në Shqipëri dhe janë grumbulluar këtu para ambasadës. Për mendimin tim mungon organizimi, nuk ka një kokë drejtuese, pra është një njoftim spontan përmes rrjeteve sociale, pa një drejtim të caktuar. Kjo e zbeh interesin që ka kjo protestë. Protestohet për Zvërnecin ashtu si në Shqipëri, por për mendimim tim ka qindra gjëra të tjera për të protestuar. Shumica e atyre që janë mbledhur nuk e kanë idenë se ku bie Zvërneci. Mund të ishin çuar për rastet e korrupsionit, për emigracionin, pra për emigrantët. Në rast se ti nuk je në gjendje të mbrosh veten tënde nuk ke si të mbrosh interesat e të tjerëve. Ne nuk kemi bërë asnjë protestë për ata shqiptarë që kanë 20 vite këtu dhe janë ende ilegalë, pa dokumente, mungesa e një koke dhe një programi për këtë protestë, e zbeh këtë protestë. Kauza e Zvërnecit është një kauzë jo e duhur.
Shumica e protestuesve po protestojnë për një Shqipëri ndryshe; për korrupsionin, për largimin e emigrantëve, për pensionet, për gjendjen ekonomike. Duhet një organizim për protestën. Edhe herët e tjera kanë treguar se një protestë pa kokë mos të zgjasë shumë. Në rast se protesta do të ketë një kokë drejtuese… Protestat do të vazhdojnë çdo fundjave dhe presim që të grumbullohen sa më shumë, por me kalimin e kohës mund të dalë dhe një kokë drejtuese.




