Trump sulmon Norvegjinë pasi nuk mori Nobelin e Paqes: Vend i poshtër, nuk ju dua në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Norvegjisë, duke e cilësuar atë si një “vend të poshtër” dhe duke deklaruar se nuk dëshiron emigrantë norvegjezë në Shtetet e Bashkuara. Shkak për deklaratat e tij është bërë fakti që Komiteti Norvegjez i Nobelit nuk i dha Çmimin Nobel për Paqe.
Trump i bëri komentet gjatë një tubimi politik të dielën në Port Huron, në Michigan, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit që do të mbahen javën e ardhshme.
Duke folur për emigracionin dhe situatën e fundit në Francë, të cilën e lidhi me ardhjen e emigrantëve, presidenti amerikan tha se do të mirëpriste qytetarë nga disa vende, por jo nga Norvegjia.
“Për shkak se nuk e mora Çmimin Nobel, nuk dua askënd nga Norvegjia”, deklaroi Trump.
Megjithatë, sipas agjencisë Reuters, nuk ka asnjë tregues se administrata amerikane po përgatit një politikë të re zyrtare që do të kufizonte emigracionin nga Norvegjia.
Ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, reagoi ndaj deklaratave të presidentit amerikan, duke rikujtuar se Komiteti Norvegjez i Nobelit është një institucion i pavarur.
“Ai e di shumë mirë se Komiteti i Nobelit është i pavarur”, deklaroi Eide për transmetuesin publik norvegjez NRK.
Ministria e Jashtme e Norvegjisë nuk pranoi të jepte komente të tjera lidhur me këtë çështje.
Gjatë fjalimit të tij, Trump e përshkroi Norvegjinë si një vend që, sipas tij, kishte marrë një drejtim të gabuar, duke përdorur shprehjen fyese “vend i poshtër”. Të njëjtën gjuhë ai e ka përdorur më parë edhe për Haitin, Libinë, Somalinë dhe Jemenin.




